Kosova

“Ekziston rreziku që Serbia ta sulmojë Kosovën, prandaj Qeveria duhet t’ua plotësojë kërkesat Policisë”


Polici i Kosovës

Deklarimet e kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës, pas atij të 24 shtatorit në Banjë, sipas ish-gjeneralit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Kadri Kastrati, nuk janë aspak të ekzagjeruara, por në të njëjtën kohë kritikoi qeverinë për mosplotësimin e kushteve ndaj policisë, të cilët, siç tha ai, “janë garanci” për zmbrapsjen e këtyre grupeve që mund të tentojnë ta sulmojnë Kosovën, e që janë të financuar nga Beogradi zyrtar.

“Pas ngjarjes së 24 shtatorit, Serbia nuk do të ndalet me qëllimet e veta. Ekziston një rrezik potencial që Serbia mund të tentojë prapë që me grupe, ndoshta më të vogla, që të hyjë në territorin e Kosovës dhe për ta nxitur një konflikt në atë pjesë për t’i arritur qëllimet e veta”, tha Kastrati për Albanin Post, derisa shtoi se qëllimi i shtetit serb është realizimi i “botës serbe”.

Meqë dihen pretendimet malinje të Serbisë karshi Kosovës, Kastrati kërkon që shteti t’i përkrahë dhe t’i forcojë sa më shumë të gjitha institucionet e sigurisë në vend, në mënyrë që qëllimet dashakeqëse të Beogradit të parandalohen.

Në këtë kontekst, ish-komandanti i FSK-së kritikon qeverinë për qasjen e saj në raport me kërkesat e Policisë së Kosovës, posaçërisht të Njësisë Speciale Intervenuese, të njohur ndryshe si FIT – ata që zmbrapsën paramilitarët serbë në Banjë të Zveçanit – të cilët janë duke protestuar që dy herë pranë objektit të qeverisë, për të shprehur kështu indinjatën e tyre të thellë në raport me qasjen e ekzekutivit ndaj kërkesave të tyre.

“Qeveria duhet t’i përgjigjet kërkesave të Policisë së Kosovës, posaçërisht njësive speciale – të cilat janë duke bartur barrën kryesore të kësaj situate në Veriun e Kosovës – që nëpërmes shtesave, nëpërmjet mënyrave kreative që ajo duhet t’i gjejë, t’i motivojë këta njerëz, pra t’iu rris pagat”, thekson Kastrati.

Në mënyrë urgjente, vlerëson ai, ekzekutivi duhet “të bëjë furnizime me pajisje dhe armatimet e nevojshme që i duhen atyre”.

“Në aspektin afatgjatë, gjithashtu edhe te ushtria, por edhe tek institucionet tjera të sigurisë, duhet që këta njerëz t’i stimulojë dhe t’ua rris pagat”.

Sepse, në një situatë të kundërt, Kastrati paralajmëron se “ka rrezik që këta njerëz për shkak të vështirësive jetësore mund të braktisin institucionet”.

“Qeveria nuk është në nivelin e duhur, nuk është duke punuar mjaftueshëm”, shtoi.

Paralajmërimin e saj se Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës, presidentja Osmani e kishte bërë në një deklaratë për media në prag të fillimit të Samitit Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor, në Bruksel më 13 dhjetor.

Aty, e para vendit kishte deklaruar se Serbia po planifikon sulme të reja në Kosovë, derisa kishte bërë me dije se për këtë do t’i njoftonte edhe liderët evropianë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Të gjitha informatat që ne i kemi është se Serbia po planifikon sulme të reja. Unë do t’i informoj të gjithë liderët evropianë sot për informatat që institucionet tona të sigurisë së bashku me partnerët i kanë mbledhur në këtë drejtim, sepse këto janë alarme të cilat të gjithë ne duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si preventivë në mënyrë që Serbia mos ta destabilizojë më rajonin tonë”, kishte thënë Osmani.

Sa i përket këtij paralajmërimi, edhe Kastrati është në një linjë me të parën e vendit, madje mendon se qëllimet dashakeqëse të Serbisë nuk do ndalen derisa e njëjta ta realizojë “atë planin e tyre apo qëllimin që është bota serbe”.

“Dhe për atë arsye unë shoh rrezik potencial që Serbia mund të tentojë që ta de-stabilizojë Kosovën dhe jo vetëm, sepse me fitoren e këtij krahut nacionalist [fitorja e Partisë Progresive Serbe, e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, në zgjedhjet e 17 dhjetorit], Serbia tregoi edhe një herë që është faktor de-stabilizues në Ballkanin Perëndimor dhe me këtë fitore rrezikohet edhe Kosova, edhe Bosnje e Hercegovina, por edhe Mali i Zi”, ngriti shqetësimin e tij.

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.

Për këtë arsye, sipas Kastratit, institucionet e Kosovës kanë të drejtë “të brengosen”, derisa bëri thirrje që të bëhen përgatitjet maksimale.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti, në një intervistë për median gjermane “Stern”, më 16 dhjetor, nuk e kishte përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri nga ana e Serbisë.

“Nuk mund të përjashtojmë një sulm sepse nuk varet nga ne. Por, ne jemi vigjilentë dhe kemi mbështetjen e trupave tona dhe atyre të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmi i shtatorit për të mbajtur vendin tonë të sigurt”, kishte thënë Kurti.

Sipas kreut të ekzekutivit kosovar, askush në këtë fazë nuk mund të dijë se çfarë do të urdhërojë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, policinë apo ushtrinë e Serbisë.

“Nëse ka demokraci, liderët e zgjedhur duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Kjo çon në parashikueshmëri. Por, diktatura shkakton rrezik. Vazhdimisht mund ta ndiejmë agresivitetin e Serbisë: ata kanë 48 baza ushtarake dhe xhandarmëri përreth kufirit me Kosovën – në formën e një patkoi”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Për çështjen e sigurisë në Kosovë, këtë të mërkure, ka folur edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Në një adresim për fund të vitit, Stoltenberg ai ka thënë se për të siguruar gjithë rajonin është e domosdoshme të sigurohet stabiliteti në Kosovës.

Në këtë adresim, ai ka falënderuar të gjithë ushtarët e aleancës veri-atlantike që janë të shpërndarë gjithandej botës për të ofruar siguri, teksa ka folur për sfidat globale të kësaj kohe duke përmendur Ballkanin si një nga to.

“Muajin e fundit kam takuar trupat e KFOR-it në veri të Kosovës”, tha Stoltenberg, për të vazhduar fjalimin duke bërë të qartë se “ndihma për të mbajtur ambient të sigurt dhe të qetë në Kosovë është çelësi për stabilitetin edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”.

“Jetojmë në një botë më të rrezikshme”, e tha prerazi politikani norvegjez që udhëheqë me politikat e NATO-s gjatë adresimit në platformën “X”.

“Ka një luftë që po vazhdon në Evropë. Një luftë të re në Lindje të Mesme, tensionet në Ballkanin Perëndimor po rriten. Brutaliteti i terrorizimit mbetet dhe ndryshimet klimatike po sjellin konflikte”, numëroi situatat Stoltenberg.

“Për këto arsye vitin që po shkon kemi bërë hapa domethënës për të forcuar tutje NATO-n, me më shumë trupa në gjendje të lartë gatishmërie dhe rritje të shpenzimeve në ushtri”, deklaroi Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Ai u ngut të thotë se “kjo s’ka të bëjë me provokim të një lufte”, por “është për të parandaluar konfliktet dhe për të konservuar paqen”.

Ndryshe, vendet perëndimore, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, kanë marrë masa të menjëhershme – pas sulmit terrorist në Banjë – në mënyrë që të parandalojnë çfarëdo veprimi keqdashës që mund të krijonte de-stabilitet në vend.

Në këtë kontekst, misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i janë shtuar trupat në radhët e tyre, për të treguar kështu vendosmërinë e Aleancës në parandalimin e çfarëdo incidenti që mund të krijonte ndonjë krizë më të gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore