Lajme

Ekuador: 57 roje dhe policë mbahen peng nga të burgosurit në gjashtë burgje të ndryshme


Të burgosur nga gjashtë burgje në Ekuador po mbajnë peng 57 roje dhe policë në hakmarrje ndaj operacioneve të forcave të armatosura shtetërore në burgje, tha të enjten e 31 gushtit organi përgjegjës për këtë të fundit (SNAI).

Në mes të një dite dhune të shkaktuar nga shpërthimi i dy makinave bomba në Quito, SNAI bëri me dije në një deklaratë për shtyp se shtatë oficerë policie dhe 50 roje burgu “janë të ndaluar në gjashtë qendra të privimit të lirisë”, pa dhënë më shumë detaje.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Ministri i Brendshëm Juan Zapata tha më herët se të gjithë rojet po mbaheshin peng në burgun Cuenca, ku të burgosurit kanë protestuar ndaj presionit të policisë në burg që nga e mërkura.

Pengmarrja “do të ishte kundërpërgjigje e grupeve kriminale pas ndërhyrjeve të policisë në qendrat e vuajtjes së dënimit të vendit, qëllimi i së cilës është zbulimi i objekteve të ndaluara që përdoren gjatë dhunës”, saktësoi SNAI.

Të mërkurën, qindra ushtarë dhe policë kryen një operacion kërkimi për armë, municione dhe eksplozivë në një burg në Latacunga, një nga më të mëdhenjtë në vend dhe skenë e përleshjeve të shpeshta vdekjeprurëse midis të burgosurve.

Rreth 430 të burgosur kanë vdekur në Ekuador që nga viti 2021.

Hipotezat për arsyet e kësaj pengmarrjeje u shumëfishuan gjatë ditës së enjte, por SNAI kishte avancuar që në fillim pistën e reprezaljeve pas kësaj “ndërhyrjeje” të forcave të policisë në Latacunga.

Më vonë, autoritetet treguan se marrja e pengjeve ishte një shenjë proteste kundër transferimit të të burgosurve në burgje të tjera.

“Ne jemi të shqetësuar për sigurinë e agjentëve tanë”, tha Juan Zapata në një konferencë shtypi në kryeqytetin Quito.

Sipas SNAI-t, “po ndërmerren një sërë veprimesh për rivendosjen e rendit në sistemin penitenciar” me ndihmën e ushtrisë dhe policisë.

Përballë valëve të përsëritura të dhunës në burgje që përfshinin bandat e lidhura me kartelet meksikane ose kolumbiane, presidenti Guillermo Lasso shpalli një gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë sistemin më 24 korrik për 60 ditë.

Është kjo masë që lejon në veçanti dërgimin e ushtrisë në burgje.

Grupet e trafikut të drogës po bëjnë luftë për pushtet në burgjet e vendit dhe i përdorin ato si bazë për operacionet e tyre të ndryshme.

Në fund të korrikut, 31 të burgosur vdiqën në përleshjet e përgjakshme katër-ditore në burgun e Guayaquil-it.

Më 26 gusht, 17 roje dhe punonjës administrativë të mbajtur peng pas një trazire në një burg në Esmeraldas u liruan.

Rebelimi kishte ndodhur në përgjigje të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në sistemin e burgjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore