I shumëkërkuari i drejtësisë Leonard Duka, i cili njihet gjerësisht edhe si një prej rivalëve më të mëdhenj të Ervis Martinajt – është ekstraduar nga Belgjika pasditen e kësaj të premte.
Kjo, pas depozitimit të kërkesës së SPAK në Ministrinë e Drejtësisë.
Policia publikoi pamjet e momentit kur Duka zbret në Rinas nën masa të rrepta sigurie.
“Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi S. M. Gjithashtu, shtetasi Leonard Duka, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Er. Ma., Er. Mi. dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre”, bën të ditur Policia e Shtetit.
Duka u arrestua të martën e 14 shkurtit 2023, pasi është i dyshuari kryesor, si i përfshirë në vrasjen e ish-policit Santiago Malko, në gusht të vitit 2019.
38-vjeçari, kreu i klanit ‘Duka’ i shumëkërkuar ndërkombëtarisht, për krime kundër personit dhe për armëmbajtje pa leje, është arrestuar në një provincë të Brukselit, teksa fshihej në një banesë private.
Kujtojmë se më 14 qershor, Apeli i Gjykatës së Posaçme dënoi me 25 vite burg Blendi Tetën i akuzuar për të njëjtën vrasje.
Përplasja me Santiago Malkon
SPAK mbylli në vitin 2021 hetimet ndaj çështjes së vdekjes së ish-policit Santiago Malko.
Sipas SPAK-ut, motivi i vrasjes së tij ka qenë përplasja mes bandave për lojërat e fatit.
26-vjeçari ishte një emër i njohur për drejtësinë, pasi në vitin 2016 ka pasur një përplasje me vëllezërit Edmond dhe Gentian Llashi.
Të akuzuar për vrasjen e tij janë, Erlis Duka, Ilir Selmani, Leonard Duka, Oltian Loga, Aleksandër Maxhaku, Fatmir Hyseni, Dritan Aga.
Të gjithë këta shtetas janë të shpallur në kërkim.
I vetmi i arrestuar ishte Teta, mbi të cilin SPAK-u ka kërkuar t’i ndryshohet akuza nga “vrasje me paramendim” në “vrasje për hakmarrje”.
Sipas Prokurorisë, Teta ka qenë në dijeni për vrasjen dhe ka marrë pjesë në ekzekutimin e Malkos.
Ekzekutimi i Malkos
Malko u ekzekutua më 27 gusht në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:20, në rrugën “Xhanfize Keko”, kur drejt makinës së Malkos u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.
Sipas SPAK-ut, vrasjes së tij i paraprijnë dy ngjarjeve kriminale, ajo e 26 gushtit në vitin 2018, kur në një lokal mbetën të plagosur Juxhin Hamajezi, Ibrahim Durollari dhe Rovaldo Mumajesi.
Autori i kësaj ngjarjeje dyshohej të ishte Santiago Malko. Fill pas kësaj, SPAK sugjestionon se ai ka qenë i përfshirë në tentativën për vrasjen e Erlis Dukës.
SPAK ka bërë me dije si provë kundër tyre nuk është vetëm dëshmia e Ilir Dukës, por edhe provat e ADN-së të gjetura në makinë.
Ndërkohë, në një intervistë televizive nëna e viktimës do të shprehej se vëllezërit Duka ishin vrasësit e djalit të saj.
Ajo, gjithashtu, ka njoftuar se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën e Hagës.
Malko kishte përfunduar kursin për Patrullë të Përgjithshme dhe ka qenë pjesë e kësaj strukture në Policinë e Tiranës vetëm për 3 muaj.
Ndërsa bashkëshortja e tij ishte pjesë e Policisë së Tiranës, në njësinë “Shqiponja”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Seanca plenare nis me 1 minutë heshtje në nderim të ish-deputetit Gerti Bogdani
-
Dorëhiqet anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska
-
Dumani me Prokurorin e Përgjithshëm të Zvicrës: Strategji kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
-
Gara për Drejtorin e ri të Policisë së Shtetit, publikohet lista e kandidatëve