Shqipëria

Eksportet bien ndjeshëm në Shqipëri, kapet vlera më e ulët nga prilli 2021


Në gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliardë lekë, duke u ulur me -21,9%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -27,4%, në krahasim me korrikun 2023.

Kështu ka bërë me dije Instituti i Statistikave në Shqipëri, ku më së shumti, ajo çfarë bie në sy, është edhe fakti se kjo është vlera më e ulët e eksporteve që prej prillit 2021.

Importet e mallrave nga ana tjetër, arritën vlerën 68 miliardë lekë, duke u ulur me -15%, në krahasim me një vit më parë dhe me -4,1%, në krahasim me korrikun 2023.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 40 miliardë lekë, duke u ulur me -9,5%, krahasuar me gusht 2022 dhe duke u rritur me 22,9%, në krahasim me korrikun 2023.

Zhvlerësimi i euros, sipas publikimit nga INSTAT, ka ndikuar në volumin tregtar, krahasuar me një vit më parë.

Gjithashtu, rënia e çmimeve në tregjet botërore të produkteve, që kanë impakt në volumin tregtar, ka ndikuar në treguesit e eksport/importit për muajin Gusht 2023 krahasuar me një vit më parë.

Në këtë tetëmujor, eksportet e mallrave arritën vlerën 300 miliardë lekë, duke u ulur me -8,6% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që importet e mallrave arritën vlerën 577 miliardë lekë, duke u ulur me -5,0%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 277 miliardë lekë, duke u ulur me -0,8%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Kryesisht, ulja e eksporteve më së shumti lidhet me kategorinë e materialeve të ndërtimit.

Ndërsa, për kategoritë si ushqimet, mineralet apo prodhimet e drurit dhe tekstilet, ndikimi ka qenë më i ulët.

Euro, që prej fillimit të vitit, ka pasur luhatje tejet të mëdha në tregun vendas, ku arriti të prekte edhe kufirin e 100 lekëve (vlera më e ulët historike).

Prej disa javëve ndërkaq, monedha evropiane është stabilizuar në vlerën e 107 lekëve, e cila mbetet sërish e ulët krahasuar me periudhën para rënies, kur luhatej mes 115-120 lekë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore