Kosova

Ekspertja amerikane: Perëndimi naivisht ende po beson se Vuçiç-i po e afron Serbinë me NATO-n e BE-në


Ivana Stradner

Ivana Stradner, specialiste në fushën e sigurisë dhe informacionit, gjithashtu vëzhguese dhe njohëse e zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor ka kritikuar Perëndimin gjegjësisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me qasjen ndaj Serbisë, specifikisht presidentit, Aleksandër Vuçiç.

Stradner e cila është edhe hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive, vlerëson se SHBA-të ende po besojnë me naivitet se Vuçiç-i po e afron Serbinë më pranë NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Blofi i Vuçiç-it, sipas ekspertes amerikane, nuk i intereson fare Rusisë, meqë presidenti Vladimir Putin, beson ajo, “e di shumë mirë që Vuçiç po blen kohë deri në vitin e ardhshëm”.

“Është e turpshme se si Rusia po luan me Perëndimin si fyell në Ballkan”, ka shkruar Stradner në platformën sociale, X.

Ndryshe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Milan Mojsiloviç, ka pretenduar se situata në Kosovë është tejet e komplikuar.

Në një intervistë për mediumi serb, TV Prva, komandanti i Ushtrisë Serbe, ka thënë se shpreson që Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, do të ketë fuqi të mjaftueshme për të stabilizuar situatën dhe për të mbrojtur popullin serb në Kosovë.

“Do të bisedoj të hënën me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, për të shkëmbyer informacione të caktuara për situatën e sigurisë dhe shpresoj që KFOR-i do të ketë fuqi të mjaftueshme në kapacitetin e tij për të qenë një faktor që stabilizon dhe mbron popullin serb në Kosovë”, ka potencuar ai.

Situata në Kosovë, sipas pretendimeve të ushtarakut, Mojsiloviç është shumë e komplikuar meqë ka mungesë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ai ka pretenduar se në Veri të Kosovës aktualisht ka një angazhim të tepruar të Policisë së Kosovës.

“Përveç Policisë së Kosovës, praninë e tij në Veri e ka shtuar edhe KFOR-i”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore