Lajme

Eksperti amerikan: Kurti po tregon një shkurtpamësi të hatashme duke injoruar këshillat e SHBA-ve dhe BE-së   


Alon Ben - Meir

Për ekspertin amerikan, i cili ka qenë i përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në negociatat izraelito-siriane dhe izraelito-palestineze në formatin “Track II” e njohur ndryshe si “diplomacie e kanaleve të pasme” Alon Ben – Meir, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke sfiduar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, ka treguar një dritëshkurtësi të hatashme.

Këtë shkurtpamësi shefi i qeverisë së Kosovës, sipas ekspertit amerikan i cili është një njohës i mirë i dinamikave në Ballkanin Perëndimor, duhet ta korrigjojë në mënyrë imediate pasi duhet të majë qëndrim të mirë me aleatët e tij.

“Kurti duket se e injoron faktin se Kosova nuk ka këmbë aq të forta për të qëndruar pa mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe BE-së”, ka shkruar Ben – Meir në rrjetin e tij social në Twitter.

Gjithçka mori të tatëpjetën me 26 maj kur Qeveria e Kosovës – pa koordinim me ndërkombëtarët – vendosi që, të shoqëruar nga policia, të fusë tre kryetarët shqiptarë në objektet komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Serbët lokalë protestuan të premten, por situata nuk eskaloi.

Të hënën, kur protestuesve iu bashkuan banda huliganësh nga Veriu, shpërtheu protesta dhe përfundimi ishte rreth 40 ushtarë të KFOR-it të lënduar, meqë ata krijuan kordon mes protestuesve dhe policisë.

Nga kjo ditë, shpërthime më nuk ka pasur, por gjendja s’është shtensionuar akoma.

Përkundër se ishin protestuesit që përdoren dhunën, spektri diplomatik e ka bërë kryesisht fajtore qeverinë e Kosovës për zhvillimet, pikërisht për faktin që morën hapa të pakoordinuar me ta.

Madje SHBA-të lëvizën edhe konkretisht duke larguar Forcën e Sigurisë së Kosovës nga stërvitjet ushtarake me shtetet e NATO-s.

Në anën tjetër i deleguari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimit që pati me kryeministrin Kurti, tregoi për ngërçin që aktualisht ekziston me Kurtin.

Top-diplomati amerikan tha se Kurti nuk është bashkëpunues dhe po e bllokon procesin.

Ai madje tha se SHBA-të, BE-ja dhe i gjithë spektri trans-atlantik janë të befasuar me të dhe s’po e kuptojnë nga po buron destruktiviteti i tij.

Escobar ishte mjaft koncis në deklarimet e tij, ai siguroi kosovarët se nuk duhet të ndihen të shqetësuar për “çarjen” e raporteve të shkaktuara nga vendimet të pakoordinuar të Qeverisë së Kosovës meqë “lidhja e fortë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me Kosovën s’do të ndryshojnë dhe se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës”.

Escobar, i cili tha se është totalisht konfuzë me atë që është duke ngjarë në Veri të Kosovës javëve të fundit, bëri të ditur se Uashingtoni ka disa sfida në raport dypalëshe me një emër të përveçëm (Albin Kurtin) i cili, sipas tij, “nuk ka instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”.

Escobar ka pohuar se Amerika po qëndron me Kosovën, por s’ka pse qëndron me kryeministrin Albin Kurti, i cili refuzon të bashkëpunojë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore