Sport

Ekskluzive: Toni Domgjoni flet për Albanian Post – “Nuk refuzova Kosovën”


Ditët e fundit qarkulluan lajme që Toni Domgjoni dhe Bastien Toma refuzuan që të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës në futboll, pasi që këta të fundit zgjodhën Kombëtaren e Zvicrës.

Këtë e ka mohuar Toni Domgjoni në një intervistë për Albanian Post.

“Ju them me shumë sinqeritet dhe me bindje që ky lajm është i pa vërtetë, dhe është vetëm spekulim mediatik. Unë nuk kam bërë deklaratë të tillë, madje unë vazhdoj për të realizuar objektivat e mia në futboll.”

“Por, në momentin që do të ketë ndonjë vendim konkret në përzgjedhjen time përfundimtare, atëherë do të jeni të informuar. Kështu që shijojeni futbollin, dhe t’i gëzohemi arritjeve dhe suksese të njërit tjetrit” theksoi Domgjoni.

Domgjoni aktualisht luan në superligen zvicerane, te skuadra e Zurich së bashku me dy lojtarët e Kosovës, Fidan Alitin dhe Hekuran Kryeziun.

Mesfushori 22-vjeçar është aktivizuar 21 herë në këtë sezon te skuadra e Zurich, i cili ka shënuar tre gola edhe ka asistuar dy herë.

Ai po vazhdon të shkëlqej edhe te Kombëtarja e Zvicrës me grupmoshat U21, të cilët u kualifikuan në kampionatin Evropian “Euro2021”.

Albanian Post gjithashtu provoi të kontaktoj edhe me Pjetër Toma (babain e Bastienit), por pa arritur që të marr përgjigje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore