Lajme

Ekskluzive: Së shpejti, BE prezanton udhërrëfyesin obligativ për zbatimin e Marrëveshjes Bazike, si kusht për integrimin e Kosovës dhe të Serbisë


Foto nga Albanian Post

Me 18 Mars 2024 bëhen një vit që kur është pranuar Aneksi Implementues i Marrëveshjes Bazike të dakorduar me 27 shkurt 2023.

Në ndërkohë, dialogu është i paralizuar.

Serbia pretendon që nuk ka asnjë obligim për ta zbatuar marrëveshjen bazike në tërësi, ndërkaq Kosova pretendon që pa nënshkrim formal realisht nuk ka marrëveshje mes palësh, rrjedhimisht Kosova nuk obligohet prej saj.

Ballafaquar me këto obstruksione thelbësore, bazuar në konkluzionet e Këshillit Evropian nga marsi 2023, në dhjetor 2023, BE ka nisur procesin formal që zbatimin e Marrëveshjes Bazike ta integrojë si kusht formal në procesin e integrimit evropian për të dyja palët. Konkretisht, zbatimi i marrëveshjes të bëhet pjesë e kapitullit 35 për Serbinë, dhe si pjesë e “Kosovo’s Special Group on Normalisation”, si proces i veçantë i Kosovës në rrugën drejt BE-së. Ky proces është në fazat e fundit të formalizimit dhe nga dita në ditë pritet njoftimi zyrtar.

Në momentin kur BE e zyrtarizon zbatimin e marrëveshjes bazike si kusht formal për integrimin evropian të Serbisë dhe të Kosovës, situata ndryshon si në thelb ashtu edhe në formë.

Pas zyrtarizimit të këtij hapi, BE do të dalë me një udhërrëfyes disa pikësh mbi zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Implementimit. Esencialisht, me këtë udhërrëfyes, Bashkimi Evropian do ta qartësojë në terma konkret se çfarë BE konsideron zbatim të kënaqshëm të Marrëveshjes Bazike dhe të Aneksit të Implementimit. Më tutje, BE do të qartësojë se pa përmbushjen e këtij udhërrëfyesi nuk mund të ketë përparim në rrugën e mëtejme evropiane dhe as akses në fondet e zhvillimit për Ballkanin Perëndimor.

Për ta sqaruar më thellë, pra, BE nuk do të negociojë më me palët rreth zbatimit të asaj që është dakorduar, dhe as nuk do të ndikohet nga retorika e imponuar që zbatimi nga njëra palë varet nga zbatimi që bën pala tjetër, apo nga çfarëdo deklarimi që mund të bëjnë palët. BE do të prezantojë listën e asaj që duhet të bëhet dhe do të mbyllë çfarëdo mundësi diskutimi.

Kosova dhe Serbia do të vlerësohen veçantë nga njëra tjetra për zbatimin e udhërrëfyesit. Rrjedhimisht, nëse Kosova zbaton pjesën e saj, Kosova mund të shpërblehet, ndërkaq Serbia të penalizohet dhe anasjelltas.

Ku është logjika prapa këtij udhërrëfyesi?

Te ky udhërrëfyes, BE niset nga parimi që është Serbia dhe Kosova që synojnë anëtarësimin në BE dhe jo e kundërta, rrjedhimisht është BE-ja që i përcakton vetë kushtet e integrimit. Pra, BE në mënyrë kategorike do të hedhë poshtë çfarëdo kushtëzimi nga palët. Dhe, nisur nga fakti që palët tashmë janë dakorduar për Marrëveshjen Bazike, për sa i përket kësaj Marrëveshjeje, por edhe të marrëveshjeve të arritura më herët, nga roli i lehtësuesit dhe ndërmjetësuesit BE do të kalojë në rolin e zbatuesit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore