Shqipëria

Ekskluzive/ Komisioni Evropian synon të organizojë një takim me liderët e Ballkanit Perëndimor më 19 shtator


Komisioni Evropian synon të organizojë të enjten e 19 shtatorit një takim pune ku do të jenë të ftuar liderët e Ballkanit Perëndimor, ka mësuar Albanian Post nga burime zyrtare në Bruksel.

Edhe pse takimi është publikuar në agjendën e KE-së, nga Brukseli thonë për AP-në se “ne konfirmojmë vetëm ngjarje të tilla më afër datës”.

E konfirmuar deri më tani është fakti që pjesë e diskutimeve do të jetë edhe “Plani i ri i Rritjes” së BE-së, një nismë prej 6 miliardë eurosh.

Kjo e fundit, planifikon të përshpejtojë procesin e anëtarësimit duke mbështetur konvergjencën e vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero, zbuloi po ashtu në një përgjigje për AP-në se “Komisioni aktualisht është duke analizuar Agjendat e Reformave të paraqitura nga Serbia dhe partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor”, duke përfshirë Shqipërinë.

Departamenti i Politikës dhe Integrimit Evropian në Kryeministrinë shqiptare nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me këto çështje.

Komisioneri Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Olivér Várhelyi, deklaroi në Budapest të hënën e 9 shtatorit se me Serbinë, Shqipërinë dhe ndoshta Maqedoninë e Veriut – objektivi është që të mbahen konferenca ndërqeveritare në muajt e ardhshëm.

“Me Serbinë, ne duhet të vazhdojmë negociatat dhe të hapim Klasterin e Tretë: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse. Shpresoj gjithashtu që Klasteri i Parë: Bazat me Shqipërinë dhe ndoshta me Maqedoninë e Veriut mund të hapen së shpejti, me kusht që të plotësohen kushtet e vendosura nga Këshilli në marrëdhëniet me Maqedoninë e Veriut”, zbuloi zyrtari evropian gjatë fjalës së tij.

Albanian Post mësoi më herët se Grupi i Punës për Zgjerimin dhe Vendet Negociuese për Anëtarësim në Bashkimin Evropian do të mblidhej në Bruksel, për të diskutuar mbi fondet e “Planit të Rritjes” për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Lajmi u konfirmua për AP-në nga zyrtarja në Zyrën e Shtypit të Këshillit të BE-së, Liis Jaansalu.

Kujtojmë që Grupi i Punës është përgjegjës për procesin e zgjerimit dhe marrëdhëniet me vendet kandidate që negociojnë anëtarësimin e tyre në BE.

Kryesisht merret me: përgatitjen e negociatave të anëtarësimit dhe pozicionin negociator të BE-së, vlerësimin e progresit të bërë nga vendet kandidate në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit, marrëdhëniet me vendet kandidate në kuadër të Marrëveshjes së Asociimit dhe instrumentin financiar për Asistencën e Para-Aderimit (IPA).

Këstet e para të “Planit të Rritjes” pritet të disbursohen këtë vjeshtë, duke ofruar një mundësi të vlefshme për vendet e Ballkanit Perëndimor që të forcojnë ekonomitë e tyre dhe që të përmirësojnë përafrimin e tyre me politikat evropiane.

Në një direktivë të re historike, Komisioni Evropian u ka kërkuar vendeve që të justifikojnë, si pjesë e programeve të tyre të reformës, se si synojnë të harmonizojnë politikën e tyre të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, duke përfshirë edhe sanksionet.

Njoftimi i bërë nga zëdhënësja Ana Pisonero, theksonte rëndësinë e shtrirjes politike në procesin e reformës, ndërsa theksoi zhvillimin gradual dhe të vazhdueshëm që pritet në këtë fushë.

“Përafrimi me politikën e jashtme të përbashkët të BE-së përfshihet si një objektiv specifik në programet e reformës. Me fjalë të tjera, vendet duhet të shpjegojnë se si reformat e tyre do të kontribuojnë në harmonizimin e qëndrueshëm me politikat e jashtme të Bashkimit Evropian”, nënvizonte zyrtarja.

Plani i Rritjes, më ambicioz i nisur ndonjëherë nga Bashkimi Evropian për këtë rajon, synon të dyfishojë ekonominë e Ballkanit Perëndimor gjatë dhjetë viteve të ardhshme.

I pajisur me gjashtë miliardë euro, duke përfshirë dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta, ky program ambicioz do të zgjasë nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Çdo vend do të duhet të hartojë një program reformash, miratimi i të cilit do t’i nënshtrohet një vendimi zbatues nga Komisioni.

“Përpara finalizimit të kësaj, sigurisht që do të konsultohemi me shtetet anëtare. Vlerësimi është në vazhdim dhe për të marrë mbështetje financiare nga kjo strukturë, do të duhet të arrihet një marrëveshje për zbatimin e suksesshëm të reformave”, ravijëzoi në përmbyllje Pisonero.

Ky plan ambicioz nuk siguron vetëm fonde: ai imponon një rishikim real të prioriteteve politike dhe ekonomike, duke e udhëhequr Ballkanin Perëndimor drejt një përafrimi më të ngushtë me Bashkimin Evropian.

Harmonizimi i politikave të jashtme është tashmë një imperativ, duke shënuar një hap vendimtar në përgatitjen e vendeve të rajonit për integrimin e tyre të ardhshëm në BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore