Lajme

Ekskluzive: Intervistë me Vlado Buçkovski, ish kryeministër i Maqedonisë: Kredibiliteti i BE-së do të jetë në pikëpyetje nëse dështon me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi


Vlado Buçkovski, ish kryeministër dhe ministër i mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, aktualisht i dërguar special i RMV për çështjen e kontestit me Bullgarinë, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post ka thënë se kredibilieteti i Bashkimit Evropian “do të jetë në pikëpyetje nëse dështon me normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi”.

“BE-ja përbën bllokun më të fuqishëm ekonomik në botë, një nga katër shtyllat kryesore politike të globit, dhe natyrisht që, nëse dështon në përpjekjet e saj në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe në çështjet tjera në rajonin tonë, njerëzit do të ngrenë shumë pikëpyetje mbi atë çfarë vërtet përfaqëson sot BE-ja”, thotë Buçkovski.

Me 18 shtator Albanian Post publikoi një dokument që përmban kornizën e re franko-gjermane.

Sipas saj, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në këtë iniciativë të kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit francez Emmanuel Macron, pesë anëtarë të BE-së, Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia, duhet ta njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës.

Kur ka folur për propozimin e lartcekur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, ai vuri në pah që kjo do të jetë “prova më e madhe për BE-në”.

“BE-ja duhet të demonstrojë unitet, përtej gjërave lokale dhe interne, si në raport më Kosovën ashtu edhe më çështjet tjera në rajon”.

I dërguar special i Maqedonisë Veriore për çështjen e kontestit me Bullgarinë, theksoi po ashtu në këtë intervistë për AP-në se në funksion të rikthimit themelor të kredibilitetit të BE-së janë hapja përfundimtare e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, rekomandimi i kushtëzuar për statusin kandidat të Bosnjë-Hercegovinës dhe heqja e vizave për Kosovën.

Intervista e plotë e Vlado Buçkovski për Albanian Post:

Albanian Post: A mund të vazhdojmë ta trajtojmë BE-në si një forcë dhe faktor gjeostrategjik nëse BE-ja është e pasuksesshme në përpjekjet e saj për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Nuk diskutohet që, brenda zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, sfidohet kredibiliteti i BE-së. BE-ja përbën bllokun më të fuqishëm ekonomik në botë, një nga katër shtyllat kryesore politike të globit, dhe natyrisht që, nëse dështon në përpjekjet e saj në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, por edhe në çështjet tjera në rajonin tonë, njerëzit do të ngrenë shumë pikëpyetje mbi atë çfarë vërtet përfaqëson sot BE-ja.

Gjithsesi, për mua, vazhdimi i anëtarësimit në BE është alternativa e vetme për vendet e Ballkanit Perëndimor, pavarësisht se BE-ja ka humbur një pjesë të besueshmërisë për shkak të pavendosmërisë për të ndihmuar në mbylljen e çështjeve të hapura, mbi të gjitha në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovën dhe Serbinë dhe sigurisht edhe për zhbllokimin e fillimit të negociatave me Maqedoninë e Veriut.

Sot, nën dritën e agresionit rus në Ukrainë dhe rrezikut që rajoni ynë të vuajë pasojat e operacioneve ruse, BE-ja po përpiqet të rifitojë besueshmërinë e saj në Ballkanin Perëndimor dhe të jetë sërish një faktor i rëndësishëm gjeostrategjik. Kam shpresë, dhe vërtet uroj, që BE-ja më në fund ka nisur të udhëhiqet nga një busullë gjeostrategjike, që gjërat i sheh dhe analizon nëpërmjet një këndvështrimi më të gjerë. Nëse BE-ja lejon hapësira boshe, natyrisht që të tjerët do të përpiqen t’i shfrytëzojnë ato.

Albanian Post: Çfarë mund të bëjë BE-ja më shumë për Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për Kosovën por edhe për Maqedoninë dhe veçanërisht për Bosnjën?

Në funksion të rikthimit themelor të kredibilitetit të BE-së janë hapja përfundimtare e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në korrik të këtij viti, rekomandimi i kushtëzuar për statusin kandidat të Bosnjë-Hercegovinës në tetor të këtij viti dhe shpallja zyrtare e liberalizimit të vizave për Kosovën në fund të këtij viti. e kthimit të besueshmërisë së BE-së në rajonin tonë.

A mund të bëjë BE më shumë? Sigurisht! Prova më e madhe do të jetë nisma e fundit franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Anëtarësimi i shpejtë i Serbisë në BE, dhe në anën tjetër hyrja e Kosovës në institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, para së gjithash në OKB. Ky lloj kompromisi, për mendimin tim, është në favor të kthimit të besueshmërisë së BE-së në rajonin tonë.

Por të mos harrojmë se në këtë iniciativë të kancelarit gjerman Scholtz dhe presidentit francez Macron, pesë anëtarë të BE-së, Spanja, Rumania, Qiproja, Greqia dhe Sllovakia, duhet ta njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës. BE-ja duhet të demonstrojë unitet, përtej gjërave lokale dhe interne, si në raport më Kosovën ashtu edhe më çështjet tjera në rajon.

Albanian Post: Sipas jush, në praktikë, a na zhgënjen BE-ja?

Në praktikë, këtu në Maqedoni, euroskepticizmi dhe zhgënjimi me BE-në ka hyrë në derë të madhe. Sipas sondazhit të fundit nga Instituti Societas Civilis, i porositur nga Fondacioni Gjerman Konrad Adenauer, BE-ja ka rënë në vetëm 7.8% të mbështetjes si subjekti me ndikimin më të madh tek qytetarët tanë. Dhe perceptimi se BE-ja është aleati ynë më i madh ra nga 43.2% (hulumtuar në 2019) në vetëm 13%.

Dhe një e dhënë më shumë, sipas anketës “Balkan Barometri 2021”, të realizuar në mesin e këtij viti, mbështetja në Maqedoni për anëtarësim në BE ka rënë në 53%, ndërsa ka qenë gjithmonë mbi 70%.

Kam frikë që nëse BE-ja nuk përmblidhet, nuk demonstron vizion gjeostrategjik, nuk demonstron unitet duke i tejkaluar ngërçet e brendshëm, ky tip zhgënjimi do të përhapet si kancer edhe në vendet tjera të rajonit tonë. Unë këtë e shoh si një klithmë që po akumulohet dhe do të doja të shihja Brukselin të alarmuar për këto zhvillime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore