Lajme

Ekskluzive: Edhe Apeli në Slloveni hedh poshtë padinë e Martin Berishajt kundër gazetarit slloven – nuk janë dokumentuar shpifje


Pas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Lubjanë për të rrezuar padinë e Martin Berishajt kundër gazetarit Vitomir Petroviç si të pabazuar, ambasadori i Kosovës në Kroaci e kishte apeluar vendimin, por edhe Gjykata e Lartë Sllovene ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë duke e hedhur poshtë si të pabazuar ankesën e Berishajt.

Lajmin ekskluzivisht për Albanian Post e ka konfirmuar zyrtari për media i Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, Mateja Jazbec.

Vendimi për hedhjen poshtë të ankesës së Berishajt është marrë me 7 korrik 2023.

Në përgjigjen e gjykatës sqarohet se pas vendimit nga trupi gjykues për të rrëzuar padinë private të Berishajt, tashmë është vendosur që edhe ankesa e tij të hidhet poshtë.

Vendimi i shkallës së parë të Gjykatës së Qarkut thoshte se lënda ka “përfunduar pa efekt juridik”, meqë Berishaj nuk ka arritur të dokumentojë shpifjet e pretenduara në tekstin ku për Berishajn tregohej – për herë të parë – se ka funksionin e mushkës në një ndërmarrje kriminale për shpërlarjen e parave.

“Në lidhje me pyetjen që ju i keni drejtuar Gjykatës së Qarkut në Lubjanë, lënda II K 45570/2022, përgjigja jonë është, në përputhje me Rregulloren e Gjykatës, se më 17. 11. 2022, Trupi gjykues ka nxjerrë aktvendim me të cilin rrëzohet padia private. Pasi u zhvillua një procedurë ankimimi/apeli, Gjykata e Lartë në Lubjanë e hodhi poshtë ankesën si të pabazuar në seancën e saj të datës 7.7.2023 dhe konfirmoi vendimin e trupit gjykues jashtë dëgjimit dhe vendimin e gjykatës së shkallës së parë”, thuhet në përgjigjen e Mateja Jazbec për Albanian Post.

Vetë Berishaj, por as Qeveria e Kosovës nuk kanë njoftuar fare se është rrëzuar padia e ambasadorit, përkundër se e kishin njoftuar vendimin për të ushtruar padi ndaj gazetarit slloven.

Në anën tjetër, aktualisht po zhvillohen procedura hetimore ndaj vetë Berishajt për evazion fiskal në Kosovë pasi kishte tërhequr shuma të majme parash në kesh duke mos i deklaruar – para që i mori në formë të pagesës nga kompania GEN-I, dega në Beograd.

Albanian Post ka pyetur Prokurorinë në Slloveni se a janë kontaktuar nga homologët e tyre nga Kosova në vazhdën e këtij hetimi.

Nga Prokuroria Speciale sllovene kanë refuzuar të japin një përgjigje, duke argumentuar se mund të dëmtohen procedura para-hetimore.

“Në lidhje me pyetjet tuaja, ju informojmë se nuk mund të japim informacione për procedurat e mundshme paraprake për shkak të interesit të procesit dhe mbrojtjes së të dhënave personale”, thuhet në përgjigjen e shkurtër të Prokurorisë Specializuar shtetërore të Republikës së Sllovenisë.

Komente nuk kanë dhënë as nga organet hetuese të Kosovës.

Publikimet e gazetarit slloven Petroviç patën zbuluar për herë të parë disa transaksione në emër të Martin Berishajt, i cili përmes kompanisë së tij me veç një punëtor – veten e tij – përfitonte shuma të mëdha parash nga dega e GEN-I’it në Beograd.

Kompania MB Consulting, pronësinë e të cilës më  pas e kishte pranuar Berishaj, nuk ishte deklaruar fare te organet e Agjencisë Kundër-korrupsion të Kosovës kur ambasadori pati deklaruar pasurinë.

I pyetur në komision parlamentar “përse nuk e ke deklaruar kompaninë”, ai kishte thënë se “kam harruar”.

Më vonë do kuptohej se Berishaj paguhej “për konsulencë” nga GEN-I edhe në një bankë në Kosovë, në NLB.

Kur organet e Kosovës filluan ta hetojnë Berishajn, u kuptua se ai i kishte ikur tatimit, derisa shifrat marramendëse të tërheqjeve i kishte bërë nën arsyetimin “për qëllime biznesore”.

Berishaj në fillim i kishte mohuar tërësisht akuzat duke i quajtur shpifje, por më vonë pranë komisionit parlamentar kishte pranuar pothuajse të gjitha.

Rasti i Berishajt është raportuar gjatë në Kosovë, Slloveni, Kroaci e shtete të tjera Ballkanike.

Një nga emisionet më të ndjekura të gazetarisë hulumtuese nga Televizioni Shtetëror Slloven “Tarča”, i pati dedikuar një episode të tërë Berishajt.

“Rasti më i nxehtë me të cilin po merret policia sllovene për momentin” – Televizioni shtetëror slloven emision për Martin Berishaj

Gazetarë sllovenë patën raportuar gjithashtu se një pjesë e parave që Berishaj merrte nga GEN-I, ishin të dedikuara edhe për fushata zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.

Qeveria ka refuzuar ta shkarkojë Berishajn nga pozita e ambasadorit, derisa ai është mbrojtur në vazhdimësi nga Kryeministri, Albin Kurti, presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.

“Ka informacione se disa para përfunduan te Kurti dhe Osmani – jemi në fillimin e një storie që do shndërrohet në skandalin financiar më të madh në Ballkan”, intervistë ekskluzive e Albanian Post me gazetarin slloven Luka Persh

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore