Shqipëria

Ekonomia shqiptare tejkaloi pritshmëritë në 2022, thotë ekipi i FMN-së


Ekonomia shqiptare ka tejkaluar pritshmëritë në vitin 2022, duke u rritur me 4.8 për qind, zbuloi një raport i Fondit Monetar Ndërkombëtar të mërkurën.

Një ekip i FMN-së, i udhëhequr nga Anke Weber zhvilloi një vizitë në Shqipëri gjatë datave 13-19 qershor 2023.

Kjo, për të diskutuar zhvillimet e fundit makroekonomike, perspektivën ekonomike dhe prioritetet e politikave.

Sipas raportit, pritshmëritë u tejkaluan si pasojë e “kërkesës së fortë të konsumatorit, flukseve hyrëse të turizmit dhe aktivitetit të ndërtimit”.

Rritja pritet të zbutet këtë vit në rreth 3 për qind, si rezultat i rritjes së ngadaltë të partnerëve tregtarë, tërheqjes së mbështetjes së politikave dhe kushteve më të shtrënguara financiare, paralajmëroi FMN-ja.

Agjencia financiare e OKB-së shtoi se besimi i qëndrueshëm i konsumatorëve dhe turizmi do të mbështesin aktivitetin e këtij viti.

Inflacioni ka qenë gradualisht në rënie, por mbetet mbi objektivin e bankës qendrore, sqaron FMN-ja.

“Ne mbështesim angazhimin e autoriteteve për konsolidimin fiskal dhe theksojmë rëndësinë që rritja e ardhshme e pagave në sektorin publik të shoqërohet me masa domethënëse të të ardhurave dhe përfitime të efikasitetit të sektorit publik”, vijon raporti.

Ekipi që mbërriti në Tiranë u shpreh se synimi Bankës së Shqipërisë për të vijuar me normalizimin e politikës monetare është i duhuri.

“Një përshkallëzim i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe moti i pafavorshëm që ndikon në prodhimin e energjisë elektrike mund të rinovojë goditjet e furnizimit. Nga ana pozitive, ekonomia mund të rezultojë përsëri më elastike se sa pritej, në mes të një vrull të fortë në turizëm”, vijoi FMN-ja.

Agjencia e OKB-së mbështeti angazhimin e autoriteteve për të arritur një bilanc primar jo negativ në vitin 2023, një vit përpara afatit të përcaktuar nga Ligji Organik i Buxhetit.

“Një strategji e shëndoshë e të ardhurave afatmesme duhet të ankorojë një konsolidim të besueshëm fiskal dhe agjendën e reformës tatimore. Ne mbështesim ligjin e miratuar së fundmi për tatimin mbi të ardhurat, i cili do të zgjerojë bazën tatimore”, nënvizoi raporti i FMN-së.

Ekipi kërkoi nga autoritetet më shumë reforma të administrimit të të ardhurave, duke përfshirë përmirësimin e pajtueshmërisë ndërmjet individëve me vlerë të lartë neto, të cilat sipas tyre do të plotësonin përpjekjet e politikës tatimore.

“Sistemi bankar është treguar i qëndrueshëm ndaj goditjeve të njëpasnjëshme, por shtrëngimi i kushteve financiare mund të ekspozojë dobësitë. Në përgjithësi, sistemi bankar ka pozicione të fuqishme kapitali dhe likuiditeti, por kreditë me probleme më të larta mund të gërryejnë kapitalin”, ravijëzoi FMN-ja në raportin e saj të 21 qershorit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore