Biznes

Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar tejkalon pritshmëritë me rritjen e muajit nëntor


Në muajin nëntor, ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u rrit papritur, e ndihmuar nga një nxitje nga Kupa e Botës.

Të paktën kjo është ajo çka tregojnë shifrat zyrtare.

Ekonomia u zgjerua me 0.1 për qind, e ndihmuar nga kërkesa për shërbime në sektorin e teknologjisë pavarësisht se familjet janë ndikuar nga rritja e çmimeve.

Referuar Zyrës për Statistikat Kombëtare (ONS), pijet dhe restorantet patën rritje po ashtu teksa njerëzit dilnin për të parë futbollin.

Por është ende e paqartë nëse kostot në rritje do ta çojnë Mbretërinë e Bashkuar në recesion.

Leximi i Produktit të Brendshëm Bruto në nëntor ishte shumë më i mirë se sa pritej, tabloja e përgjithshme ende sugjeron se ekonomia është në stanjacion ndërsa faturat e ushqimit dhe energjisë rriten.

Sakaq, rritja në muajin nëntor shënon një ngadalësim nga një rritje prej 0.5 për qind në tetor, e cila ka qenë kryesisht si rezultat i një rikthimi nga mbyllja e bizneseve për të shënuar funeralin e Mbretëreshës Elizabeth II në shtator.

Të dhënat e fundit, sipas ekonomistëve, e bëjnë më pak të qartë nëse Mbretëria e Bashkuar do të ketë hyrë në një recesion në fund të vitit të kaluar.

Një recesion përkufizohet si dy periudha tre mujore të tkurrjes së prodhimit ekonomik.

Kur një vend është në recesion, është një shenjë se ekonomia e tij po ecën keq.

Gjatë një rënieje, kompanitë zakonisht fitojnë më pak para dhe numri i njerëzve të papunë rritet. Të diplomuarit dhe ata që kanë mbaruar shkollën gjithashtu e kanë më të vështirë të gjejnë punën e parë.

Edhe pse mund të ketë pasur një përmirësim të shkurtër në nëntor, Federata e Bizneseve të Vogla (FSB) paralajmëroi se shqetësimet mbi ekonominë nuk janë shuar ende.

Kryetari kombëtar i FSB-së, Martin McTague, ka thënë se “me kostot që mbeten të larta për firmat e vogla dhe familjet, politikëbërësit nuk mund të qëndrojnë në qetësi”.

Sipas tij, inflacioni duhet të ulet sepse ka pasiguri të madhe mbi çmimet e energjisë dhe besimi i konsumatorëve mbetet i ulët.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore