Lajme

Ejupi: Besnik Hasi, trajneri i duhur për Kosovën – Agim Ademi po ndihet inferior ndaj tij


Ish-presidenti i klubit futbollistik të Prishtinës, Remzi Ejupi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka kritikuar udhëheqjen e Federatës së Futbollit të Kosovës, mu në krye me Agim Ademin, për rezultatet e dobëta të Përfaqësues së Kosovës përgjatë viteve dhe sidomos në kualifikimet për Evropian.

Ejupi, i cili ka kontribuuar mjaft shumë në futbollin kosovar, duke ndihmuar jo vetëm klubin që e udhëhiqte, por edhe klubet dhe sportet tjera, ndërsa ka folur për gabimet në hapa që ka bërë FFK-ja në zgjedhjen e trajnerit për Përfaqësuesen e Kosovës, ka theksuar se Besnik Hasi, do të ishte njeriu i duhur për ta udhëhequr reprezentacionin.

“Sa me fat jemi që e kemi, e mjerë ne që s’ia dimë vlerën dhe që s’dimë ta shfrytëzojmë një diamant si Besnik Hasi”, ka potencuar fillimisht ai.

Zgjedhja e trajnerit, sipas tij, vazhdon të jetë njëri nga minuset më të mëdhenj dhe problemet kryesore të Përfaqësueses së Kosovës.

“Gabimi besoj se ka filluar qysh në ditën kur u largua ai që e krijoi këtë skuadër, arkitekti i saj, Albert Bunjaki, pa ju dhënë mundësia që ta tregojë veten. Të gjithë ata që erdhën pas tij ishin trajnerë pa asnjë histori suksesi dhe gati gati anonimë për futbollin tonë. Se si zbarkuan ata në vendin tonë, duhet kërkuar përgjigje nga përgjegjësit”.

Ejupi duke analizuar arsyet e mos-zgjedhjes së Hasit, me një bagazh mjaft të pasur në Futboll, në krye të reprezentacionit, thekson se motivi kryesor për këtë “është ndjenja e inferioritetit karshi kujtdo që ka arritur sukses në jetë nga të pasuksesshmit drejtues të futbollit kosovar”.

“Presidentit tonë i vlen më shumë dhe i shkon për shtati një trajner anonim që të dominohet dhe të kontrollohet prej tij në çdo gjë, në çdo aspekt, madje edhe në zgjedhjen e futbollistëve, pa e marrë parasysh dëmin e madh që ia ka bërë futbollit tonë me injorancën dhe keqdashjen e tij”.

Kreut të FFK-së, Agim Ademit, sipas Ejupit, i duhet një trajner i cili “nuk e ka besimin e tifozëve, që nuk ka emër të madh në këtë vend, që nuk ka dashuri për këtë vend, që e sheh Kosovën si një ‘trampolinë’, që nuk i dhemb kur një futbollist nuk vjen të luajë dhe madje edhe kur i vjen keq kur e mposht një kundërshtar”.

Ejupi, ndër të tjera ka vlerësuar se klima në Përfaqësuesen e Kosovës është negative.

“E lëshuam rastin jetik kundër Maqedonisë së Veriut për të shkuar në Euro 2020, ndërsa tash na erdhi një tjetër mundësi e artë, të cilën nuk ditëm ta shfrytëzonim në një grup modest, duke mbetur edhe jashtë Euro 2024, madje në vendin e parafundit”.

Sipas tij, një situatë e tillë është e dhimbshme marr parasysh faktin se ndoshta Përfaqësuesja e Kosovës nuk do ta ketë më fatin e së kaluarës me mundësi të arta.

“Kjo gjeneratë po shkon dhe lojtarët e rinj po hezitojnë të vijnë për të luajtur për Kosovën shkaku i keqmenaxhimit, i mjerimit që e ka kapluar futbollin”.

Ai ka kërkuar që të mos tolerohen më skena të tilla ku tifozët e paguar të përzihen te përfaqësuesja duke tentuar t’i sulmojnë futbollistët në aeroplanin e ekipit.

“Deri kur do të durojmë që të shohim skena të tilla dhe raste të tillë si ai i Edon Zhegrovës, një pasuri për Kombëtaren e Kosovës, i cili po trajtohet në mënyrën më të ulët të mundshme”, ka shtuar ai duke potencuar se skena të tilla nuk do t’i pranonte kurrë legjenda e futbollit kosovar, Besnik Hasi.

“Ne e kemi fatin që kemi njerëz si ai, që e dashurojnë pastër dhe pa hile këtë popull dhe këtë vend, të cilin e nderoi me sukseset e tij ndër vite. E arritjet e tij, djersa, ndershmëria dhe sakrifica i pengon një njeriu që është në krye të Federatës, e që ndihet inferior, pasi do ta rrezikonte atë duke ia nxjerrë në shesh pandershmërinë, të palarat, hilet dhe tentimin për të vjedhur”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore