Shqipëria

Edi Rama, Të jesh historik duhet ta bësh historinë


Edi Ramën e kam takuar në vitin 2004. Sapo ishte zgjedhur “kryetar i bashkisë së botës” nga një renditje ndërkombëtare.

Ky djalosh i sapo kthyer nga Parisi me një të kaluar artisti, shembi kioska dhe ndërtesa abuzive, hodhi ngjyra të ndezura mbi ndërtesat gri të regjimit, bëri një masterplan të parë të kryeqytetit dhe premtoi një të ardhme të rregullt dhe plot ngjyra për një vend të dalë nga dekada izolimi, diktature dhe varfërie.

Kur një grup muzikor u shfaq në video klipin “Tirona”, duke kënduar për këtë qytet të pështjellë nga kontradikta, dukej sikur mishëronte ëndrrat e një popullate të tërë të rinjsh shpresëdhënës.

Qëndrimi i gjatë në pushtet, në këtë vend ku politika është një praktikë e vështirë dhe e rrezikshme, ka mjegulluar goxha potencialin novator të atij djalit që u zhvillua në Paris.

Sot Rama mishëron një pushtet statik dhe të konsoliduar, pa alternativa dhe bashkëbisedues. Kriza e Partisë Demokratike dhe qëndrueshmëria e Sali Berishës në krye të opozitës e konsolidojnë atë në qeveri: një lider pa alternativa, por edhe pa stimuj.

Nga Rama i ri ka mbetur një venë goliardike dhe tallëse që nuk i përshtatet rolit të një kryeministri kaq të fuqishëm.

Por ish-kryetari i ardhur nga jashtë duket se është i përzgjedhuri. Sot, Evropa dhe SHBA-të e kanë zgjedhur atë si një politikan referencë për Ballkanin Perëndimor.

Në luftën e vazhdueshme midis Perëndimit dhe Rusisë, Ballkani është ende në kufirin e këtyre dy botëve.

Është një nga ato pasazhe në histori që nuk mund të anashkalohet. Në këtë krizë gjeopolitike, prioriteti i Perëndimit është të çaktivizojë bombën serbe e cila mund të shpërthejë në çdo moment duke destabilizuar të gjithë rajonin në favor të Rusisë dhe Kinës dhe në dëm të vendeve të bashkuara në NATO.

Tashmë Edi Ramës i kërkohet të jetë protagonist në këtë fazë shumë delikate të politikës ndërkombëtare duke luajtur një rol udhëheqës në afrimin e vendeve të Ballkanit me Evropën dhe NATO-n.

Është një mundësi për të hyrë në histori. Dhe janë ata trena që kur kalojnë në jetën e një politikani, nuk mund të mos i marrësh.

Në veçanti, Ramës i kërkohet të luajë një rol ndërmjetësues dhe udhëheqës në procesin e paqes ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ramës do t’i duhet të shpenzojë në këtë operacion gjithë pasurinë e stimës që ka marrë deri tani në skenën ndërkombëtare.

Një vlerësim i fituar sajë aftësisë së tij personale për të mbajtur marrëdhënie të mira me liderët e tjerë, por edhe për faktin se Shqipëria shfaqet në Perëndim si vendi më kompakt në besnikërinë e tij ndaj BE-së, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara. Një vend imun ndaj tensioneve të shkaktuara nga ndikimi i ushtruar në zonë nga rusët dhe kinezët.

Winston Churchill thoshte se “çmimi i madhështisë është përgjegjësia”.

Kjo do të thotë se Edi Ramës do t’i duhet të rritet dhe të bëhet një lider politik me pozitë ndërkombëtare, duke braktisur tundimin e batutave goliardiste dhe njëfarë arrogance me të cilën e ka mësuar situata shqiptare.

Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe futja e Serbisë (dhe e komuniteteve serbe të shpërndara në Ballkan) në zonën perëndimore të ndikimit janë sot prioritetet politike. Të qenit protagonistë në këtë operacion është një mundësi historike për Shqipërinë (e cila ka qenë gjithmonë në margjinat e politikës ndërkombëtare) dhe për liderin e saj. Një mundësi që nuk duhet humbur edhe për të ardhmen e këtij vendi.

Sërish Winston Churchill thoshte “Vjen një moment i veçantë në jetën e secilit, një moment për të cilin ai person ka lindur. Ajo mundësi e veçantë, kur ta shfrytëzojë, do të bëhet misioni i tij. Në atë moment, ai gjen madhështinë. Është ora e tij më e mirë”.

A do të mund ta përqafojë misionin djali i kthyer nga Parisi?

Këtë do të na e tregojë koha.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore