Lajme

Edhe punëtorët e sigurimit dhe pastrimit paralajmërojnë grevë


Sindikata e Sektorit Privat.

Edhe punëtorët e sigurimit dhe pastrimit kanë paralajmëruar grevë nëse nuk largohet kushtëzimi për subvencionim të rritjes së pagës në sektorin privat.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat Jusuf Azemi, në një konferencë për media.

Sipas tij, gjendja e punëtorëve teknikë që punojnë në institucionet publike është rënduar.

“Pronarët e kompanive jemi dëshmitarë të asaj që nuk e kanë fuqinë ta bëjnë rritjen e pagave. Vetëm në QKUK i kemi 600 punëtorë dhe nëse 600 punëtorëve ju japim 50 euro shkon 30 mijë euro dhe kompanitë nuk e kanë atë fitim, realisht ato mund të falimentojnë”, ka deklaruar Azemi.

Ai i ka bërë thirrje kryeministrit që të filloj të angazhohet në këtë drejtim.

“E keni situatën ju në dorë, ne sot punojmë me pagë 130 euro është premtuar që të bëhet 350 euro, ne po ju lusim uluni dhe bisedoni. Jam i bindur që mbi 60 për qind e punëtoreve të sektorit privat mund të hynë në grevë, nuk jemi duke e kërkuar të pamundurën”.

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi.

Ndërkaq, ka thënë që thirrjet për grevë të mos i marr si shantazh, sepse janë duke kërkuar vetëm atë që meritojnë.

“Ju lusim kryeministër nuk jemi duke të shantazhuar, po të lusim përfaqësues ta heqësh kushtëzimin sepse nuk e ngarkon buxhetin e Kosovës, buxhetin që e ke paraparë shpërndaja sektorit privat”.

Edhe, shoqata sindikale e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka kërkuar rritje pagash prej 50 për qind.

Nga kjo shoqatë akoma nuk kanë marrë vendim për veprimet e ardhshme sindikalistet, por të njëjtit kanë thënë se do të vendoset në ditët në vijim.

Ndryshe, 25 gushti i gjeti sërish në greva mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike, shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore të Kosovës.

Të gjithë kanë të njëjtën kërkesë – rritje të pagës prej 100 eurove.

Më 5 shtator, Ministria e Financave dhe Transfereve e Kosovës tha se ka ekzekutuar pagat për muajin gusht për punëtorët që janë në grevë, duke shtuar se të njëjtëve duhet t’iu pezullohen kontratat e punës.

Punonjësit e arsimit, administratës lokale dhe qendrore janë në grevë që nga 25 gushti me kërkesë për rritje pagash.

“Për organizatat buxhetore që nuk kanë bërë përditësimin e listave dhe ku ka indikacione që ka pasur greva, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të bëjë konstatim të shkeljes së dispozitave ligjore të menaxhimit të financave publike, lidhur me shpenzimin e parasë publike dhe Ligjit për greva”, thuhet në njoftim.

Kjo ministri kishte njoftuar në fund të gushtit se pagat ishin ekzekutuar pjesërisht, vetëm për ato institucione që kishin dërguar listën e punëtorëve që nuk ishin në grevë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore