Lajme

“Edhe në sektorin publik ka trend të rritjes në shkeljen e të drejtave të punëtorëve”, thotë KDI-ja


KDI.

Sipas Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), praktikat selektive dhe të të drejtave të punës edhe në sektorin privat, por edhe në atë publik janë duke vazhduar.

Albesa Humolli, nga KDI-ja në një konferencë për media ka deklaruar se është rritje alarmante raportimi i shkeljeve nga marrëdhënia e punës dhe parregullsive në vendin e punës.

“Raportimet e qytetarëve që KDI-ALAC (Qendra për Avokim dhe Ndihmë Juridike Falas që vepron në kuadër të KDI-së) pranon në baza ditore paraqesin një pamje të zymtë të sektorit publik dhe privat në Kosovë, ku mohimi i të drejtave të punëtorëve po bëhet gjithnjë e më i përhapur”.

“Këto raportime zakonisht përmbajnë shkelje thelbësore, të tilla si mungesa e kontratës formale të punës, mospagimi i kontributeve pensionale dhe refuzimi i pushimit vjetor apo mjekësor me pagesë apo vonesat në pagë”.

Ajo ka potencuar se përmes këtyre veprimeve po ka ngecje edhe lufta kundër korrupsionit në Kosovë.

“Këto raportime të shpeshta dhe shqetësuese jo vetëm që nënvizojnë problemet e shumta me të drejtat e punëtorëve, madje edhe në nivelin e tyre më elementar por janë edhe indikator se ku po çalon lufta kundër korrupsionit në vend dhe cilat janë sektorët më të prekur nga korrupsioni”.

Më 23 maj, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes publikimeve të rezultateve të hulumtimeve që pasqyrojnë këndvështrimin e qytetarëve të Kosovës mbi reformën e drejtësisë, rezultonte që vetëm 10 për qind e qytetarëve mendojnë se sektori i drejtësisë këtë vit ka shënuar përmirësime.

KDI-ja përmes rezultateve kishte thënë se hulumtimi thekson këndvështrimin e qytetarëve rreth performancës se sektorit të drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore