
Ed Sheeran dhe dy tekst-shkruesit e tij janë shpërblyer me më shumë se 1 milion euro në kosto ligjore, vetëm 11 javë pasi fituan gjyqin për të drejtat autoriale.
Sheeran dhe bashkëpunëtorët e tij – Johnny McDaid dhe producenti Steve McCutcheon – ishin akuzuar për plagjiaturë të këngës “Oh Why” të Sami Chokri, i njohur me emrin artistik Sami Switch.
Chorki kishte thënë se tre tekst shkruesit e hitit “Shape of You” duhet të paguajnë faturën e tyre ligjore.
Por të martën, një gjyqtar i dha treshes një pagesë të përkohshme prej 916 mijë e 200 paund.

Sheeran dhe kolegët e tij mohuan fuqishëm plagjiaturën, me yllin e popit që më pas tha se pretendimet e tilla janë “të pabaza” dhe “shumë të zakonshme”.
Chorki, i pandehuri në gjyqin 11 ditor, kishte thënë se këngëtari në krye të listave botërore “zakonisht kopjon” artistë të tjerë dhe një pjesë e “Shape of You” ishte “çuditërisht shumë e ngjashme” me një pjesë të këngës së tyre “Oh Why”.
Gjykatësi, Anthony Zacaroli, hodhi poshtë sugjerimin e Chokrit se Sheeran dhe partnerët e tij duhet të paguajnë shpenzimet e tyre ligjore, sepse ata nuk kishin siguruar dokumente dhe kishin demonstruar “ngathtësi dhe paqartësi”.
Në vendimin e tij të fundit, gjykatësi tha: “unë e konsideroj të përshtatshme që suksesi i paditësve të pasqyrohet në një urdhër që shpenzimet e tyre të paguhen nga të pandehurit, pa zbritje, përveç asaj që është bërë si pjesë e procesit të detajuar”.
Pritet një seancë e mëtejshme për të vlerësuar dhe finalizuar shumat.
/Albanianpost.com