Shëndet

Ecja dhe yoga ‘mund të ndihmojnë pacientët me kancer për të ulur rrezikun’


Ecja për 30 minuta në ditë dhe praktikimi i yoga-s mund të ndihmojë në reduktimin e lodhjes te pacientët me kancer dhe zvogëlimin e rrezikut të përhapjes së sëmundjes.

Kështu rezulton nga një hulumtimi i fundit.

Në botë, më shumë se 18 milionë njerëz zhvillojnë kancer çdo vit. Dhe të qenit joaktiv rrit rrezikun e formave të ndryshme të sëmundjes.

Tani studiuesit kryesorë të kancerit në botë po mësojnë më shumë rreth përfitimeve të marrjes ose qëndrimit aktiv pas diagnostikimit.

Shumë onkologë dhe profesionistë shëndetësorë i kanë shtyrë për dekada të tëra pacientët të ushtrohen pas regjimeve rraskapitëse të trajtimit.

Përfitimet duket se po kthehen.

Tre studime të paraqitura në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO), konferenca më e madhe e kancerit në botë, i shtojnë peshë provave në rritje se aktiviteti fizik mund të ndihmojë, jo të pengojë, pacientët.

Ekspertja Melissa Hudson ka thënë se një numër në rritje i mjekëve janë të mendimit se pacientët duhet të rifillojnë stërvitjen, qoftë edhe gradualisht në fillim, “më herët se sa vonë”.

Studimi i parë ishte një provë kontrolli e rastësishme, standardi i artë i studimeve mjekësore, në ndikimin e efektit të yoga-s në inflamacion.

Inflamacioni mund të jetë një forcë e fuqishme në zhvillimin e kancerit, duke ndihmuar dhe nxitur rritjen dhe përhapjen e tumorit nëpër trup.

Në studim, më shumë se 500 pacientë me kancer me një moshë mesatare 56 vjeç u rekrutuan nga SHBA-të. Të gjithë kishin marrë trajtim për sëmundjen nga dy muaj deri në pesë vjet më parë.

Ata u zgjodhën rastësisht për të bërë yoga ose për të ndjekur klasat e edukimit shëndetësor për një muaj. Secili grup mori pjesë në seanca 75-minutëshe dy herë në javë për katër javë.

Më pas pacientët iu nënshtruan një sërë analizash gjaku.

Hulumtimi, i udhëhequr nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Rochester-it, zbuloi se ata që bënë yoga kishin “nivele dukshëm më të ulëta të shënuesve pro-inflamatorë” krahasuar me pacientët në grupin tjetër.

“Të dhënat tona sugjerojnë se yoga redukton ndjeshëm inflamacionin te të mbijetuarit e kancerit”, kanë thënë autorët e studimit në një raport të botuar në takimin e ASCO-s.

“Klinikat duhet të marrin në konsideratë recetat e yoga-s për të mbijetuarit që përjetojnë inflamacion, i cili mund të çojë në një ngarkesë të lartë toksiciteti kronik dhe rritje të rrezikut të përparimit, përsëritjes dhe kancerit të dytë”, sipas tyre.

Karen Mustian, studiuesja kryesore, ka treguar se njëzet vjet më parë, ekzistonte një tendencë për të menduar që të gjithë pacientët me kancer duhet ta marrin me lehtësi, por tani shumica e mjekëve rekomandojnë ushtrime.

Në studimin e dytë, të udhëhequr gjithashtu nga Qendra Mjekësore e Universitetit të Rochester, studiuesit shqyrtuan ndikimin e yoga-s në lodhje dhe cilësinë e jetës.

173 pacientë të moshës 60 vjeç e lart u regjistruan në provë. Përsëri, pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Ata ndoqën klasa 75-minutëshe yoga ose edukimi shëndetësor dy herë në javë për katër javë.

Dhe sërish u zbulua se yoga ndihmon në lehtësimin e lodhjes dhe ruajtjen e cilësisë së jetës.

Një studim i tretë zbuloi se pacientët me kancer që janë aktivë mund të zvogëlojnë rrezikun e vdekjes me thuajse një të pestën.

Hulumtimi gjashtëvjeçar, i udhëhequr nga Jurema Telles de Oliveira Lima nga Instituto de Medicina Integral në Brazil, përfshiu më shumë se 2 mijë e 600 pacientë me kancer në Brazil.

Pacientët u renditën sipas niveleve të tyre të aktivitetit.

Rezultatet treguan se rreziku i vdekjes ishte më i lartë tek ata me një mënyrë jetese pa aktivitet. Pas 180 ditësh, 90 për qind e njerëzve në grupin aktiv ishin ende gjallë, krahasuar me 74 për qind në grupin jo-aktiv.

Lima ka treguar se çdo gjë që pacientët me kancer mund të bëjnë për të shmangur qëndrimin ulur ose shtrirë për periudha të gjata, sado pak, mund të jetë e dobishme.

Edhe kryerja e punëve të lehta mund të bëjë ndryshim.

“Ne gjithashtu duhet të edukojmë familjen, sepse është shumë e zakonshme që familja dëshiron të mbrojë personin e moshuar kur ka kancer”, ka thënë ajo.

“Ne duhet t’i themi familjes se aktiviteti fizik mundet ta bëjë atë të jetë më e mira për pacientin dhe gjithashtu në një nivel psikologjik”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore