Shqipëria

E vlerësojmë mbështetjen dhe solidaritetin e Shqipërisë, thotë Zelensky


Teksa pak ditë na ndajnë nga samiti për Ukrainën në Tiranë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zgjedhur të falënderojë Shqipërinë për solidaritetin e treguar.

Nëpërmjet një postimi në median sociale X, Zelensky shkruan se e vlerëson mbështetjen e Shqipërisë dhe pret me padurim sigurimin e një të ardhmeje paqësore evropiane si për dy vendet ashtu edhe për Evropën në tërësi.

Ai ka shprehur gjithashtu falënderime për fjalët e presidentit, Bajram Begaj, një ditë më parë – datë që shënon 2 vite nga agresioni rus.

Tirana zyrtare në datat 28 dhe 29 shkurt do të organizojë për herë të parë një Samit dedikuar tërësisht Ukrainës, vetëm disa ditë nga dy-vjetori i nisjes së agresionit rus atje.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të vizitojë Shqipërinë, ku do të ketë dhe disa takime bilaterale, me kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla.

Kryediplomati shqiptar, Igli Hasani, ka theksuar se samiti do të ofrojë një mundësi për liderët nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore për të diskutuar, se si mund të punojnë së bashku dhe si mund të ofrojnë të gjithë mbështetjen për Ukrainën.

Dy vite nga agresioni rus, Hasani: Krenar për rolin e Shqipërisë në mbështetje të Ukrainës

Nga ana tjetër ministrja e shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, në manifestin e zhvilluar në Tiranë për dy-vjetorin e agresionit rus në Ukrainë u shpreh se bota sot po njeh një luftë të re të paprecedentë.

Ajo tha se Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që i është bashkuar vullnetit për të vendosur sanksione ndaj agresionit. Po ashtu ajo theksoi se Shqipëria ka ngritur zërin dhe në Këshillin e Sigurisë.

“Rusia ka shpërthyer një luftë të re, të padrejtë dhe totalisht mizore. Perdja e re e hekurt është aty, pasi fantazia dhe tmerri i luftës është real. Vdekja vjen për një faj të vetëm, viktimat i përkasin një kombi tjetër, që ka vendosur të jetojë në një mënyrë tjetër, duke parë nga perëndimi dhe me shpinë nga e shkuara”.

Spiropali theksoi se “ne e njohim këtë sakrificë të Ukrainës dhe i përulemi asaj”.

Zelensky do të vizitojë Shqipërinë më 28 shkurt.

Kështu ka mësuar Albanian Post, teksa vlen të theksohet se vizita e tij vjen në kuadër të Samitit për Ukrainën të paralajmëruar nga kryeministri Rama nga takimi me gazetarët në Shkup.

“Po përgatisim një samit në Tiranë për Ukrainën, dhe duhet të kemi të pranishëm presidentin Volodymyr Zelensky. Do përpiqemi në atë hark kohor të kemi edhe takimin tjetër të liderëve të rajonit me përfaqësuesit të sotëm të BE dhe që janë atë që do ndjekin për të bërë një bilanc të këtij muaji për të vijuar të vazhdojmë me ritmin e përshpejtuar që diktohet nga proceset e reja, që po ndodhin në BE, ka zgjedhje të reja”, tha asokohe Rama.

Ai shtoi se “ne duhet të mbyllim këtë paketë duke bërë punën tonë brenda afateve që ka kjo administratë në Bruksel. Është një samit në mbështetje të Ukrainës dhe për të diskutuar me presidentin e Ukrainës  në lidhje me sfidat e sigurisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore