Film

E patën filmat me superheronj?


Kryetitujt në gazeta nuk janë më të njëjtët. Paraqitjet e fitimeve në sallat e kinemasë po ashtu. Suksesi kolosal i filmave me superheronj, a ka marrë fund kësisoj?

Është e vështirë për t’u thënë diçka e tillë, por dështimet e njëpasnjëshme të shtyjnë të mendosh se po, filmat me superheronj, nuk janë më aq super.

Në fillim, mendohej se problemin e kishte vetëm DC Comics, ku instalimet e tyre kanë gjeneruar shumë pak të ardhura, mbi të gjitha në muajt e fundit.

Që prej suksesit me “The Batman”, i cili as nuk është pjesë e universit të ri të DC, por shihet si një entitet i veçuar në botën e errët të superheronjve, gjigandi Warner Bros ka pasur vetëm dështime.

Dwayne Johnson, nuk arriti ta çonte lart me fitime filmin e parë të “Black Adam”. Më pas disa filma u shtynë në kohë dhe erdhi radha e filmit të dytë të “Shazam”.

Një dështim edhe më i madh se sa “Black Adam”.

Pra dukshëm ka një problem të madh këtu me DC.

Por, kur kjo epidemi dështimesh në fitime filloi të prekte edhe botën e Marvel, e cila është shquar në dekadën e fundit si studio më fitimprurëse, pikërisht për shkak të superheronjve, bota filloi të kuptonte se globi nuk rrotullohet më rreth tyre.

“Dr. Strange in the Multiverse of Madness”, i mbijetoi disi kritikave.

Por, instalimi i fundit i “Ant-Man”, vërtetoi se po, Marvel është në krizë të thellë dhe në një kohë kur James Cameron, me filmin e tij të dytë Avatar, arriti të korrte një suksesh të pamendueshëm, pasi mblodhi mbi 2 miliardë dollarë në sallat e kinemave.

Pra, industria në vetvete, nuk e ka një problem të gjenerojë fitime, por filmat po e kanë.

Të vetmit të mbijetuar që gjejnë atë që quhet “Buzz” në gjuhën e industrisë, e cila nënkupton përfoljen nga njerëzit dhe dëshirën e tyre për të pritur derisa të shohin një film të caktuar, janë ikonat si Spider Man, apo Batman.

Me mbylljen e gjithë sagës së Avengers, me të cilën Marvel kulmoi, asnjë film tjetër nuk po gjen më hapësira për të korrur suksese maksimale.

Thor nuk e bëri dot diçka të tillë, Guardians of the Galaxy aq më pak dhe as prezantimi i “super anti-heroit” të radhës të multiversit, Kang, i cili as që mund të paramendohet t’i afrohet antagonistit Thanos në botën Marvel, në këto kushte.

Është lodhur shikuesi, shtrohet pyetja, apo formula fituese e filmit ka ndryshuar dhe Hollywood-i duhet të kuptojë se nuk ia hedh dot më dashamirësve, me të njëjtat “kocka” të servirura muaj pas muaji?

Nëse nuk e mbledhin shpejt mendjen, rrezikojnë të shfarosen dhe izolohen drejt ekranit të vogël, ku si të thuash, konkurrenca është shumë më e lartë, por shkëlqimi shumë më i zymtë!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore