Lajme

E krahasoi Plenkoviç-in me Putin-in, Grliç Radman, Komshiç’it: Deklaratë e papërgjegjshme – je uzurpator i kuotës kroate


Andrej Plenkoviç dhe Gordan Grliç Radman

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, ka thënë se deklaratat e udhëheqësit të Presidencës trepalësh së Bosnje e Hercegovinës, Zheljko Komshiç, në foltoren e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së janë të papërgjegjshme dhe të dëmshme politikisht, duke shtuar se ato në mënyrë të panevojshme rrisin tensionet dhe ngadalësojnë rrugën e BeH drejt Bashkimit Evropian.

Në fjalimin e tij, Komshiç akuzoi kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç, për shkelje të së drejtës ndërkombëtare, madje e krahasoi me Presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Për këto pretendime të tij, kryediplomati kroat theksoi se në të vërtetë është vet Komshiç ai që “shkel ligjin ndërkombëtar sepse paraziton të drejtat e njerëzve të tjerë, d.m.th. uzurpator i kuotës kroate që rezulton nga fakti i marrëveshjes ndërkombëtare, që është Marrëveshja Dejtonit (1995)”.

“Çdo komb ka të drejtë të zgjedhë përfaqësuesin e tij në Presidencën e BeH dhe ai nuk u zgjodh me votat e popullit kroat, por e uzurpoi atë të drejtë për shkak të papërsosmërisë së atij ligji. Ajo që ai po bën është absolutisht e egër”, shtoi, transmeton rrjeti ballkanik i lajmeve “N1”.

Me deklaratat e tij “të papërgjegjshme”, pohoi ai, Komshiç po u bën “një dëm të madh liderëve politikë që po mbrojnë në mënyrë aktive perspektivën evropiane të BeH-së në Këshillin e Ministrave”.

“Në fakt, falë Kroacisë – e cila i arriti të gjitha qëllimet e saj të politikës së jashtme dhe ku kryeministri Andrej Plenkoviç mbështet veçanërisht BeH-në – BeH mori statusin e kandidatit në dhjetor të vitit të kaluar”.

“Dhe tani, së bashku me vendet e tjera anëtare, ne po avokojmë për hapjen e negociatave midis BeH dhe BE”.

Kreu i diplomacisë kroate pohoi se deklaratat e tij janë “shumë të dëmshme sepse ato në fakt ngrenë tensione të panevojshme dhe ngadalësojnë rrugën e BeH drejt BE-së”.

“Nuk na është e qartë se në emër të kujt po e bën Komshiç-i dhe pse po e bën këtë. E përsëris edhe një herë, ai është uzurpator dhe dëmtues, është parazit i të drejtave të të tjerëve”, deklaroi Grliç Radman.

Të mërkurën, në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Komshiç akuzoi Kroacinë dhe Serbinë për ndërhyrje në punët e brendshme të vendit të tij dhe përpjekje për ta ndarë atë përgjatë vijave etnike.

Përveç kësaj, pa përmendur drejtpërdrejt emrin e Plenkoviç-it, por duke aluduar qartë për Plenkoviç-in, ai e krahasoi kryeministrin kroat me kreun e Rusisë, Vladimir Putin.

Kjo për shkak të komenteve të tij në lidhje me vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për padinë e ngritur kundër Bosnjës dhe Hercegovinës nga këshilltari i Komshiç-it, Slaven Kovaçeviç, duke pretenduar se është diskriminuar sepse e drejta e tij për të marrë pjesë në zgjedhje është e kufizuar nga përkatësia etnike.

Duke komentuar vendimin, kryeministri kroat tha se pavarësisht nga ai, duhet të insistohet në përfaqësimin legjitim të kroatëve në autoritetet e BeH.

“Ne e kemi marrë parasysh këtë vendim, por gjithashtu e përsërisim shumë qartë se do të ngrihemi për përfaqësimin legjitim dhe barazinë e popujve përbërës dhe të gjithë të tjerëve që jetojnë në BeH”, thoshte Plenkoviç në fillim të shtatorit.

“Ne jemi kundër politikës dhe praktikës së imponimit të përfaqësuesve të tjerë në organet më të larta mbi popullin kroat. Kjo përsëritet vazhdimisht me zgjedhjen e anëtarëve të Kryesisë dhe ka ndodhur katër herë në 16 vitet e fundit”.

Për Komshiç-in, kjo është dëshmi se Plenkoviç është si Putini.

“Mosrespektimi i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, siç mund të dëgjohej nga kryeministri i një vendi fqinj, na kujton qëndrimin ndaj ligjit ndërkombëtar që ndërtoi Vladimir Putin në rastin e Ukrainës”, deklaroi Komshiç në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

“Megjithatë, nuk është vetëm një qëndrim negativ ndaj standardeve ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, por edhe ndaj politikës ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës nga fqinjët e saj”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore