Shqipëria

E shkuara e errët dhe e harruar e Fredi Belerit


E shkuara e errët dhe e harruar e Fredi Belerit.

Për këtë ka zgjedhur të shkruajë gazeta e njohur greke “Ta Nea”.

Bëhet fjalë ngjarjen e 19 marsit të vitit 1995 ku Fredi Beleri, bashkë me gjashtë persona të tjerë u arrestuan pranë kufirit me Shqipërinë.

Në bagazhet e dy makinave të tyre ata mbanin nëntë kallashnikovë, dy pistoleta, bajoneta, radio, uniforma kamuflazhi dhe kapuç.

Kjo ngjarje mori përmasa të mëdha në shtypin grek të kohës ku shkruhej se një grup paramilitarësh do të sulmonin shtetin fqinj.

Historia mund të jetë harruar ndoshta për shumicën e opinionit grek, por që në mediat e vendit fqinj u rikthye në lajm pas ankesës së ish-ministrit të Arsimit, Nikos Fili.

Ky i fundit i kërkoi publikisht kryeministrit grek, Kiriakos Mitsotakis që të përjashtojnë kadidaturën e Fredi Belerit nga lista e kandidatëve të tij për eurodeputet.

Në artikull shkruhet se arrestimi i shtatë personave, mes të cilëve edhe Fredi Beleri, u dha alarmin autoriteteve greke të kohës, pasi një vit më parë persona të panjohur kishin hyrë nga Greqia në Shqipëri dhe kishin vrarë dy ushtarë shqiptarë në repartin ushtarak të Peshkëpisë në Gjirokastër.

“Ta Nea” ka publikuar edhe faqen e parë të saj të botuar të hënën e 20 mars 1995, që mbante titullin “7 provokatorët e kapur në kufi”.

Duke iu referuar edhe dëshmive të kohës “nuk kishte dyshim se të arrestuarit po planifikonin të sulmonin një objektiv ushtarak në Shqipëri që ishte në një distancë të shkurtër nga kufiri”.

Madje jo vetëm kaq, por në atë kohë u zbulua se ishte afërsisht i njëjti grup, ose të paktën disa nga anëtarët e tij ishin të njëjtë me ata që kishin sulmuar repartin e Peshkëpisë.

Në fund, megjithatë, akuzat ndaj shtatë të arrestuarve në vitin 1995 u ndryshuan nga vepra penale në kundërvajtje dhe u vendos lirimi i tyre nga burgu, ndërsa çështja u mbyll përfundimisht.

Në të njëjtën kohë, siç kujton Nikos Filis, “Beleris është reklamuar në faqen e Agimit të Artë, ka marrë pjesë në tubimet fashiste të LAOS dhe ka qenë i ftuar në emisionet televizive të liderit të dënuar të Agimit të Artë nazist”.

Nisur pikërisht nga kjo e shkuar e errët, “Ta Nea” shkruan se kandidatura e Belerit do t’i bëjë më shumë dëm sesa mirë listës së kryeministrit grek.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore