Lajme

E hëna ditë zie në Pejë


Komuna e Pejës.

Në nderim të viktimave që kanë humbur jetën të shtunën në Pejë si pasojë e vërshimeve, Komuna e Pejës ka vendosur që ditën e hënë ta shpallë ditë zie.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate për media.

Në këtë komunikatë sqarohet se të gjitha angazhimet e planifikuar për ditën e hënë janë pezulluar.

Ky vendim është marrë “në mbështetje të nenit 13 të Ligjit nr.03/L-040 për Vetëqeverisje lokale, si dhe nenit 73, pika 12, e Statutit të Komunës së Pejës, në shenjë nderimi dhe respekti me rastin e humbjes së jetës së nënës Mirsada Ademaj dhe djalit të saj, Dion Ademaj”.

Komunikata e lëshuar nga Komuna e Pejës.

Edhe flamujt janë vendosur në gjysmështizë, ndërsa është thënë se do të aplikohen edhe rregulla të tjera për shënimin e kësaj dite.

Të shtunën pas vërshimeve në Pejë kishin humbur jetën nënë e bir të shtunën dhe janë lënduar dy persona si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

Një prokurore e krimeve të rënda nga Prokuroria e Pejës kishte dalur në vend të ngjarjes ku  humbën jetën nënë e bir dhe ishin lënduar dy persona si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut.

“Prokurorja e krimeve të rënda bashkë me hetuesit policorë edhe sot ka dal në vend të ngjarjes për të parë nga afër edhe njëherë vendin e ngjarjes. Për fat të keq, një fëmijë dhe një grua kanë humbur jetën nga përmbytjet”, tha për Albanian Post zëdhënësi i kësaj prokurorie Shkodran Nikçi.

Në anën tjetër, Milaim Ademaj, familjar i viktimave, kishte deklaruar se nga vërshimet një pjesë e kodrës ka rrëshqitur duke e zënë kështu djalin pesëvjeçar.

Ai kishte treguar se nënën e pesë vjeçarit pas shumë kërkimeve e kanë gjetur në një bodrum në një shtëpi, derisa ka theksuar se në rrezik kanë qenë edhe dy fëmijë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore