E fundit: Rikthehet furnizimi me ujë të pijshëm në Skenderaj e Mitrovicë

SHFLETO

Ilustrim, uji i pijshëm

 

albanianpost
27.01.2022 15:44
Loading Icons...

Menaxheri i Kompanisë Rajonale të Ujit Mitrovica, ka bërë të ditur për Albanian Post, se aktualisht janë duke zhvilluar takime me përfaqësues të KEDS për t’ua mundësuar furnizimin me energji elektrike në fabrikë të ujit, në mënyrë që qytetarët të kenë ujë të pijes.

Baliu njoftoi se pavarësisht borxhit që kanë në KEDS, po presin që gjatë ditës energjia elektrike të lëshohet për fabrikën e përpunimit të ujit në Shipol, në mënyrë që qytetarët e Skenderajt, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut të kenë ujë të pijes.

“Tani jemi në takim me KEDS dhe po merremi vesh që të lëshohet energjia në fabrikë, pavarësisht borxhit që kemi dhe qytetarët do të kenë ujë të pijshëm”, ka thënë shkurtimisht Baliu përmes telefonit, për Albanian Post.

Më herët gjatë ditës së enjte, kjo kompani kishte njoftuar se KEDS ua kishte ndërprerë energjinë elektrike në fabrikën e përpunimit të ujit të pijes për shkak të borxhit që kishin.

Rrjedhimisht nga ora 10:00 qytetarët e Skenderajt, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut kishin mbetur pa ujë të pijes.

“Nuk është kryer pagesa ndaj KESKO-s për energji, e kanë ndërpre energjinë dhe kur ndërpritet energjia, fabrika pushon së punuari dhe ndërprehet furnizimi me ujë”, kishte thënë Nimon Baliu, menaxher në KRU Mitrovica për Albanian Post.

“Zakonisht KESKO dërgon njoftime, kemi pas marrëveshje për pagesën e mjeteve, nuk jam i sigurt nëse keni pas njoftim ose jo, por energjia elektrike është ndalë”, ka vazhduar më tej Baliu.

Bëhet fjalë për mos pagesë të një fature mujore.

“Ne kemi pas borxhe edhe më të mëdha ndaj KESKO-s por, kemi arritur t’i paguajmë. Kjo është një faturë mujore”.

“Nuk kemi njoftim për rikthim të energjisë, kjo varet kur ne e paguajmë faturën, borxhin që kemi ndaj KEDS. Dhe thënë të drejtën kjo nuk varet direkt nga ne, sepse shumë qytetarë  nuk paguajnë shërbimin që marrin. Janë fatura e miliona euro borxhe, dhe ne nuk kemi si të paguajmë KEDS, pa paguar qytetarët”, ka shpjeguar më tej Nimoni për Albanian Post.

Menaxheri i njësisë së KRU Mitrovica në Skënderaj, Ilaz Halili, ka treguar për Albanian Post se bëhet fjalë për një faturë rreth 36 mijë euro.

“Diku 36 mijë euro janë borxh në KEDS dhe ko është vetëm fatura e fundit”, ka treguar Halili.

“Por rreth dy milion na i kanë borxh popullata. Fatura që nuk kanë paguar shërbimet që kanë marrë”, ka vazhduar më tej Halili.