Sport

Dzeko: Nuk ka dallim mes Napolit dhe Empolit për Interin


Inter-i do ta rinisë sezonin në Serie A me një ndeshje të vështirë, ku do të përballen me liderin, Napolin.

Pavarësisht se është një ndeshje e vështirë, sulmuesi i zikaltërve, Edin Dzeko, ka thënë se kjo ndeshje do të trajtohet sikurse çdo tjetër dhe njëjtë vlen për tre pikë.

“Ndeshja me Napolin vlen tre pikë, si çdo ndeshje tjetër. Nuk ka dallim mes Napolit dhe Empolit , por një fitore do të rriste vetëbesimin tonë”, tha Dzeko për Sky Sport.

“Napoli është një ekip i fortë. Sinqerisht, nuk e prisja që të kishin një start kaq të mirë, duke fituar 13 ndeshje nga 15. Shpresoj që ta ngadalësojnë ritmin”, tha ai duke buzëqeshur.

Zikaltërit janë kualifikuar në fazën e 1/8-ve të finales në Ligën e Kampionëve, duke përfunduar në vendin e dytë në grup, pas Bayern Munich dhe duke mbledhur katër pikë në dy ndeshje kundër Barcelonës, e cila u rrëzua në Ligën e Evropës për të dytin sezon radhazi.

“Liga e Kampionëve është kompeticioni më i rëndësishëm dhe ne futbollistët ndihemi mirë kur dëgjojmë himnin”, shtoi sulmuesi boshnjak.

“Sigurisht, ne duam të bëjmë gjëra të mëdha, por së pari, ne luajmë në Serie A, Coppa Italia dhe Superkupë. Ne duam të bëjmë më shumë se vitin e kaluar në Champions League”.

Dzeko është golashënuesi më i mirë i Interit deri më tani këtë sezon, por kontrata e tij skadon në qershor. Ka zëra se ai mund të largohet në MLS apo edhe të pensionohet në verë.

“Jam i lumtur te Interi, mendoj për stërvitjet, të tjerët janë në krye të pjesës tjetër.

“Pensionimi? Nuk e kam menduar dhe nuk dua ta bëj. Ndjej se ende mund t’i jap shumë futbollit”, tha mes tjerash sulmuesi 36 vjeçar.

Kujtojmë që Dzeko është pjesë e nënkampionëve të Italisë që nga vera e vitit të kaluar, kur u bashku nga Roma për shumën e 3 milionë eurove.

Deri më tani, Dzeko ka luajtur në 76 ndeshje në të gjitha garat me Inter-in, prej të cilave ka shënuar 29 gola dhe ka dhuruar 17 asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore