Lajme

Dyshohet se e dhunoi të miturën, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Gjakovë


Ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit K.N. i cili dyshohet se ka dhunuar të miturën E.A.

Kështu ka bërë të ditur përmes një komunikate për media, Prokuroria Themelore në Gjakovë.

“Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit K.N., për shkak të veprës penale “Dhunimi”, nga neni 227, paragraf 4, nen paragraf 4.8, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Prokuroria njoftoi se më 30 gusht të vitit 2021, në Komunën e Gjakovës, konkretisht në shtëpinë e tij, i pandehuri “e ka detyruar personin tjetër, të dëmtuarën e mitur për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj”.

Sipas këtij njoftimi, e dëmtuara në fjalë, edhe pse “nuk kishte” refuzuar të shkonte me të pandehurin në shtëpinë e tij, e njëjta “ishte nën ndikimin e alkoolit”.

“Ajo kishte konsumuar alkool paraprakisht në një lokal, aty edhe ku ishte njoftuar me të pandehurin. Pasi ishte kthjellur nga alkooli, e kishte vërejtur vetën të zhveshur në pjesën e poshtme të trupit, e po ashtu i kishte vërejtur edhe lëndimet, të përshkruara sipas raportit të ekzaminimit klinik mjekoligjor”, vijon njoftimi.

“Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehuri K.N., të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”.

Një rast dhunimi gjatë këtyre ditëve ka ndodhur edhe në komunën e Kamenicës, ku Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgim për personin që dyshohet se ka kryer veprën penale “dhunim”, kundrejt një të miture 12 vjeçare në komunën e Kamenicës.

Prokuroria Themelore në Gjilan.

Bazuar në njoftimin dhe kërkesën e prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.J., gjatë muajit tetor 2021, në komunën e Kamenicës, e ka keqpërdorur seksualisht të miturën”.

“Me urdhër të prokurorit të shtetit, i pandehuri gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh”, thuhet në komunikatën për media.

Për këtë rast ka reaguar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi, e cila kërkoi ndëshkim për kryesin e kësaj vepre dhe drejtësi për viktimën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore