Lajme

Dyshohet për sabotim të rrjetit të ujit në Gjermani, baza ushtarake e izoluar


Alarmi ka kapluar Gjermaninë për shkak të dyshimeve për sabotim brenda një baze të madhe ushtarake Luftwaffe, ku ndodhen edhe disa zyra të komandës amerikane që transferon ndihma luftarake në Ukrainë.

Hipoteza është se rrjeti ujor i infrastrukturës – i cili ndodhet pranë aeroportit të Këlnit – ishte “i ndotur qëllimisht”.

Të gjithë stafit iu ndalua të pinte ujë rubineti. Tani masat e sigurisë janë forcuar dhe qasja nga jashtë është ndaluar.

Ministria gjermane e Mbrojtjes konfirmoi hapjen e një hetimi, të zbuluar fillimisht nga Spiegel. Si policia ushtarake ashtu edhe inteligjenca po shqyrtojnë çështjen: një burim hetimor pretendon se “një person mund të ketë hyrë në instalim pa leje”.

Nuk u dhanë detaje: “Ne kemi arsyet tona dhe po e shqyrtojmë çështjen shumë seriozisht”, deklaroi një zëdhënës nga selia e Berlinit.

Baza Këln-Wahn pret 4 mijë e 300 personel ushtarak dhe 1 mijë e 200 civilë.

Është shtëpia e krahut të Luftwaffe, përgjegjës për fluturimet shtetërore, me Airbusët që përdoren nga kancelari Scholz dhe qeveria për misione zyrtare.

Por brenda perimetrit ndodhen edhe disa zyra koordinimi të Komandës së Mbështetjes 21, komanda logjistike e Ushtrisë Amerikane që menaxhon transportin e automjeteve dhe armatimeve të dhuruara nga Washingtoni në Ukrainë, si dhe kujdeset për 100 mijë ushtarët amerikanë të dislokuar në Evropë për t’u përballur me presionin rus në krahun lindor të NATO-s.

Që nga pranvera e vitit 2022, aftësitë dhe personeli i kësaj komande të SHBA-ve janë zgjeruar në dritën e rritjes së furnizimeve në Ukrainë: një punë që është bërë e furishme në dy muajt e fundit.

Në ditët e para të korrikut, niveli i alarmit u ngrit në shumicën e instalimeve amerikane në Evropë, përfshirë Aviano dhe Sigonella, për shkak të frikës nga sulmet dhe sabotimet që mund të kryheshin gjatë ditës së Pavarësisë.

Fillimisht u mendua se alarmi ishte frymëzuar nga kërcënimet xhihadiste, por më pas burimet gazetareske pohuan se inteligjenca kishte mbledhur informacione për një sulm të mundshëm të organizuar nga shërbimet sekrete të Moskës.

Që nga fillimi i verës, disa herë kanë dalë lajme për një ofensivë të nisur në Kontinentin e Vjetër nga agjentët e Kremlinit dhe në veçanti nga GRU 007, duke vepruar drejtpërdrejt ose duke nxitur grupe antagoniste.

Një fushatë e fokusuar në Gjermani, një vend që pret komandat kryesore amerikane dhe që ka marrë një rol kyç në dërgesat e armatimeve në Ukrainë.

Disa episode që kanë ndodhur muajt e fundit – përfshirë zjarrin në vilën e menaxherit të lartë të industrisë së luftës Rheinmetall dhe zjarrin e një uzine që prodhon fuze – janë lexuar në këtë këndvështrim.

Edhe në Britaninë e Madhe po hetohet shpërthimi në një fabrikë municionesh për të vlerësuar origjinën e huaj.

“Pothuajse secili nga aleatët tanë po përballet me intensifikimin e sulmeve hibride ruse”, ka thënë Sekretari i Shtetit Antony Blinken në qershor.

“Ne e dimë se çfarë po përgatiten dhe ne do të përgjigjemi individualisht dhe kolektivisht kur është e nevojshme”.

Marrë nga “La Repubblica”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore