Kosova

Dy persona të lënduar nga aksidenti në Prishtinë


Ilustrim

Dy persona kanë mbetur të lënduar nga aksidenti në Prishtinë të enjten, në të cilin janë përfshirë tri automjete.

Lajmin për Albanian Post, e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 13:00 kemi pranuar informatën se në rrugën “Dëshmorët e kombit ” në Prishtinë, ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira tri automjete. Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar dy persona”, ka thënë Ahmeti.

Tutje, ajo ka theksuar se me këtë rast është duke u marr hetuesia nga njësiti i trafikut rrugor.

Edhe më 28 qershor, si pasojë e një aksidenti, në Prishtinë ishin lënduar tre persona.

Po ashtu, më 23 qershor, dy persona kishin ndërruar jetë nga aksidentet.

Policia e Kosovës, vazhdimisht ka apeluar për kujdes gjatë vozitjes dhe respektim të rregullave të trafikut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore