Dy ditë para përfundimit të regjistrimit të popullsisë, dy komuna kërkojnë shtyrjen

SHFLETO

Foto: Ilustrim.

 

Altina Marmullaku
15.05.2024 12:31
Loading Icons...

Komuna e Dragashit dhe e Drenasit kanë kërkuar shtyrjen e regjistrimit të popullsisë – proces ky që përfundon edhe dy ditë.

Kërkesën për shtyrje të procesit të regjistrimit të popullsisë për komunën e Drenasit e ka bërë kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

“Unë nuk e di a kemi të drejtë, por unë kisha thënë që me shty edhe dy javë procesin e regjistrimit se e kemi vështirë me përfunduar mirë edhe ju qysh po kërkoni edhe ne qysh po duam”, ka thënë ai të martën.

Ndërsa, kërkesa tjetër është parashtruar nga komuna e Dragashit.

Drejtori i ASK-së, Avni Kastrati, të hënën tha se po diskuton me këto komunë për ta mbështetur stafin dhe procesin që të shtyhet.

“Dragashi ka sfidë me komunitete ka disa zona që kanë refuzuar me fillim të regjistrohen dhe besoj që edhe në Dragash do të kryhet me kohë”, tha Kastrati.

Në Kosovë më 5 prill ka nisur zyrtarisht procesi i regjistrimit të popullsisë, i njëjti do të përfundojë më 17 maj.

Krerët e shtetit kanë bërë thirrje tek qytetarët që të regjistrohen për shkak se ky proces vendos për shumë aspekte të rëndësishme për Kosovën.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka paralajmëruar se personat që vendosin të mos regjistrohen mund të përballen me gjoba të parashikuara me ligj nga 30 deri në 2 mijë euro.

Gjobat për biznesmenët janë edhe më të larta dhe shkojnë deri në 20 mijë euro.

Regjistruesit e kanë për obligim të shkojnë në të njëjtën ekonomi familjare tre herë, në rast se në dy herët e para nuk arrijnë të takojnë qytetarin për t’i marrë informatat për regjistrim.

Gjatë vizitës regjistruesit janë të detyruar të lënë një njoftim se kanë ardhur dhe nuk kanë gjetur askënd.

Ligjet do të ekzekutohen nga gjykatat dhe Policia e Kosovës.