Shqipëria

Duma njeh Berishën në krye të PD-së, “Vullneti i demokratëve duhet respektuar”


“Vullneti i demokratëve duhet respektuar”.

Kjo ishte përgjigjja e deputetes së Partisë Demokratike, Grida Duma, para mediave kur u pyet nëse e njeh apo jo Sali Berishën si kryetar të PD-së.

Gjatë fjalës së saj, Duma tha se Berisha është lideri që themeloi PD-në dhe se e respekton figurën e tij.

Por, shtoi ajo më tej, Berishës “i nevojitet reflektim” dhe se duhet të zgjidhë çështjen “non grata”.

“Berisha të zgjidhte edhe çështjen gjyqësore për ‘non grata’ dhe do të na nderonte të gjithëve. PD kërkon një zgjedhje të madhe drejt të ardhmes. Çështja e ‘non grata’ do të na jetë një ‘shpatë demokleu’ në rrugën drejt fitores. Ai e di mirë këtë”.

Për rizgjedhjen e Berishës në krye të PD-së, Duka tha se “pesha e tij te demokratët, siç duket, qenka më e madhe se e të tjerëve”.

“Dhe vullneti i demokratëve duhet respektuar. Ringritja e Partisë Demokratike do të vijojë edhe me Sali Berishën”.

Emërimi i Berishës në krye të PD-së

Partia Demokratike gjatë të dielës zhvilloi zgjedhjet për kreun e ri të saj. Dy ishin kandidatët, njëri ish-lideri i saj historik Sali Berisha dhe tjetri Ibsen Elezi.

Rreth orës 11 të mbrëmjes së të dielës, anëtarja e Komisionit të Rithemelimit, Albana Vokshi, deklaroi se procesi i numërimit ka përfunduar dhe Sali Berisha është shpallur zyrtarisht fitues në garën për kreun e ri të PD-së.

Sipas Vokshit, 43 mijë e 680 të anëtarë demokratë votuan në zgjedhje.

Nga këto Berisha mori 40 mijë e 820 vota ose 93.45 %.

Kandidati tjetër, Ibsen Elezi, mori gjithsej 2 mijë e 532 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore