Shqipëria

Duke filluar nga viti i ardhshëm, të ardhurat nga kriptovalutat do të tatohen


Duke filluar nga viti i ardhshëm, Shqipëria do të taksojë të ardhurat që rrjedhin nga kriptomonedhat. Kjo, sipas një projektligji të ri për tatimin mbi të ardhurat, pasi vendi shpreson të miratojë një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore deri në fund të 2022-shit.

Në vitin 2020, kur Shqipëria miratoi një ligj të quajtur “Tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e librit të shpërndarë”, bëri bujë ndërkombëtare. Ndërsa disa e mirëpritën atë, të tjerë vunë në pikëpyetje nëse Shqipëria mund të rregullonte siç duhet kriptomonedhat dhe ta parandalonte përdorimin e saj për pastrim parash.

Projektligji, i cili është në fazën e konsultimit publik, prezanton konceptin e taksimit të të ardhurave të kriptomonedhave dhe aseteve virtuale. Gjithashtu ai ofron përkufizimin e parë të një aktivi virtual.

Çfarë përfshinte ligji deri tani?

Ligji shqiptar e përcakton se, të prodhosh kriptovaluta, duhet më parë të marrësh licencën për këtë veprimtari.

Licenca përfitohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili, së bashku me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), kryejnë mbikëqyrjen e këtij tregu.

Besmir Semanaj, ekspert i teknologjisë dhe informacionit në Austri, për Albanian Post sqaron që në Shqipëri ekziston një ligj për bursat dhe shitblerjen e kriptomonedhave. Por, shton ai, “ky ligj është miratuar në errësirë të plotë”.

“Aktet nënligjore nuk janë miratuar akoma. Ligji u miratua në kohë rekord dhe pa diskutime. Në atë kohë pyeta disa deputetë dhe nuk e dinin çfarë ishte dhe kur e kishin votuar”.

Por, gjatë një prononcimi për mediat, eksperti i sigurisë kompjuterike në Policinë e Shtetit, Hergis Jica, deklaroi se prodhimi i kriptovalutave përfshin edhe krimin e “mashtrimit kompjuterik”.

Eksperti Semanaj aludon se prodhimi i kriptovalutave nuk është i jashtëligjshëm, për sa kohë kompanitë edhe individët paguajnë energjinë elektrike.

Sipas tij, nëse bazohemi vetëm te deklarata e policisë dhe tek informacionet që janë bërë publike deri tani, aksioni policor ishte “nul”, për vetë faktin që në Shqipëri nuk ka ligj që ndalon prodhimin e kriptove.

“Personalisht njoh shumë persona që, për arsye studimore apo testuese, bëjnë mining në telefon. Nëse bazohemi te lëvizjet e fundit të policisë, i bie që çdo shqiptar, duke ia nisur nga unë, të ndalohet dhe arrestohet”, përmbyll ai.

Ligji i ri

Projektligji sjell për herë të parë përkufizimin e mjetit virtual, si “pasqyrim digjital të një vlere që mund të depozitohet, të tregtohet apo të transferohet në formë digjitale, si dhe që mund të përdoret për qëllime pagesash ose investimesh, apo si mjet shkëmbimi, duke përfshirë, por pa u kufizuar te kriptomonedha”.

Në këtë përkufizim nuk do të përfshihen pasqyrimet digjitale të monedhave të njohura zyrtarisht si të nxjerra ose të garantuara nga bankat qendrore apo një autoritet publik, të letrave me vlerë dhe mjeteve të tjera financiare që janë parashikuar nga legjislacioni në fuqi.

Ligji synon gjithashtu të përkufizojë minierat e kriptomonedhave si “aktiviteti i përdorimit të fuqisë kompjuterike të përdoruesve të sistemit për të zgjidhur algoritme kriptografike, për të konfirmuar transaksionet dhe për të fituar mjete virtuale në këmbim, si dhe përpunimin dhe konfirmimin e aktivitetit të transaksioneve nëpërmjet investimit të një mjeti virtual i caktuar nga përdoruesit e nyjave kompjuterike që marrin pjesë në këtë proces”.

Më parë, minimi i kriptove ka qenë një zonë gri, por ka pasur disa arrestime me akuza të ngritura kundër individëve në vitet e fundit.

Shkalla e tatimit do të përcaktohet mënyra e klasifikimit. Të ardhurat nga investimi, sipas ligjit aktual dhe projektligjit të ri, tatohen në masën 15%, me përjashtim të dividendëve. Të ardhurat nga biznesi kanë shkallë të ndryshme tatimi, në varësi të madhësisë dhe formës ligjore të biznesit.

Më herët në qershor, Asambleja Parlamentare e Shqipërisë hartoi një rezolutë për t’i kërkuar Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) miratimin e akteve rregullatore për kriptovalutat dhe monedhat digjitale brenda vitit 2022, pasi vendi shpreson të përfitojë nga avantazhet që vijnë nga kjo teknologji.

Ai gjithashtu iu referua raportit të fundit të MONEYVAL, sipas të cilit nevojiteshin masa shtesë për t’u marrë me rrezikun e kriptomonedhave.

“Raporti i ardhshëm i monitorimit për Shqipërinë doli në përfundimin se ky vend nuk ka përmirësuar ndjeshëm masat e tij për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet e Task Forcës për Veprime Financiare (FATF). Ndër çështje të tjera, raporti shqyrtoi standardet e reja ndërkombëtare të aplikuara për asetet virtuale, duke përfshirë kriptovalutat dhe ofruesit e aseteve të tilla”, shkruhej në raportin e MONEYVAL.

Në nëntor 2021, Bordi i AMF-së miratoi dy rregulloret e para në zbatim të këtij ligji, “Për mjaftueshmërinë e kapitalit dhe fondet e veta të subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë në tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë” dhe “Për licencimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtarinë si agjent i tokenit digjital”.

Dy rregulloret e mësipërme janë hartuar në mbështetje të ligjit “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.

Ata do të kenë kohë deri në fund të vitit 2022 për të bërë pjesën tjetër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore