Sport

Duka flet me superlativa për Bashkinë e Tiranës dhe Qeverinë pas finales së Conference League


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka dalë në një konferencë për shtyp ditën e sotme, për të folur rreth finales së UEFA Europa Conference League.

Finalja u luajt mbrëmjen e djeshme mes Roma-s dhe Feyenoord-it në stadiumin “Air Albania”, ku italianët triumfuan falë golit të Nicolo Zaniolo-s në minutën e 32-të.

Duke folur mbi punën e bërë, Duka tha se “askush nuk do ta mendonte disa vite më parë që Shqipëria do të kishte aftësi të tilla organizative, për të përmbyllur me sukses një event madhor të këtyre përmasave”.

“Kjo sot është realitet. Dhe për meritë të gjithë administratës së futbollit dhe atyre që bashkëpunuan”.

“Disa vite më parë, në 2017, kur ne aplikuam për të patur një finale të tillë në Tiranë, shumëkush ishte skeptik, shumëkush e quante të pamundur, shumëkush madje e quante ironi të drejtuesve të FSHF-së, se Shqipëria nuk mund të ketë finale të tillë”.

“Tashmë jo vetëm finalja erdhi në Tiranë, kupa erdhi në Tiranë, ekipet finaliste, gjithë bota u përqendrua në Tiranë, për t’u dhënë përgjigje gjithë skeptikëve”, vijoi kreu i FSHF-së.

Më tej, Presidenti nxori në pah faktin se “ditën e djeshme ishin pritur 60 delegacione zyrtare, drejtuesit e 25 federatave evropiane, kreu i UEFA-s, disa partnere, sponsor etj.”.

“Tani e kuptojmë sesa krenar duhet të jemi për eventin e organizuar. Krenar duhet të jetë jo vetëm FSHF, po gjithkush”, theksoi kreu i qeverisë së futbollit në Shqipëri.

Ai falënderoi gjithashtu të gjithë ata që kanë kontribuar në organizmin e këtij eventi.

“Nëse nuk do të ishte një punë e mrekullueshme e Policisë së Shtetit, Bashkisë së Tiranës, Qeverisë shqiptare, e gjithë administratës së bashkisë, e të gjithë institucioneve, drejtuesve të Aeroportit të Tiranës, të cilët, megjithëse një aeroport modest dhe një nga pikat më të kritikuara për Shqipërinë që nuk mund të presë një finale, ka bërë një menaxhim perfekt”.

Në përmbyllje, Duka i është drejtuar me një falënderim të veçantë kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

“Dikush mund ta quajë një falënderim për Kryeministrin, një servilizëm. Unë nuk e kam zakon një gjë të tillë. Kryeministri ka qenë i përfshirë në këtë organizim dhe ka pritur ankesat apo kërkesat tona, në çdo minutë, në të gjitha mënyrat e komunikimit dhe dua ta falënderoj publikisht”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore