Lajme

Duhet të mbyllim qiellin, i thotë kryebashkiaku i Lviv-it NATO-s


Kryebashkiaku i qytetit perëndimor ukrainas të Lviv-it, Andriy Sadovyi, i ka bërë një thirrje në kufijtë e dëshpërimit presidentit amerikan, Joe Biden si edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të mbyllur menjëherë hapësirën ajrore ukrainase, pas sulmit pranë Lviv-it, vetëm 20 kilometra larg kufirit me Poloninë, ku fillon edhe kufiri me Bashkimin Evropian.

“Sot, Rusia bombardoi qendrën ndërkombëtare paqeruajtëse, vetëm 20 kilometra larg kufijve të BE-së dhe NATO-së”, shkruan Sadovyi në Twitter.

Më tej, ai vijon duke përmendur Biden dhe Stoltenberg e duke i thënë se Rusia, është tashmë në kufirin pranë tyre.

Po ashtu, ai përmend faktin se avionët ushtarakë amerikanë, janë në gjendje të mbrojnë qiejtë. Dhe kur ai përmend qiejtë, nuk e ka fjalën vetëm për Ukrainën, por për gjithë komunitetin perëndimor.

“Bëjeni tani!”, e përmbyll mesazhin Sadovyi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore