Pajisje

Duhej një pastrues ajri për virusin


Respiray, kompania estoneze e teknologjisë, ka krijuar një pastrues ajri që përdor dritën ultraviolet për të vrarë më shumë se 99% të viruseve dhe baktereve të ajrit që thithet nga përdoruesi.

Agjensia e lajmeve, Reuters, shkruan se pajisja është zhvilluar me ndihmën e universiteteve në Estoni dhe Poloni. Gjithashtu nuk ka munguar as mbështetja nga ministria estoneze e arsimit e cila do t’jua shpërndajë pastruesin e ajrit mësuesve nëpër shkolla.

Zëvendëskancelarja e ministrisë së arsimit, Indrek Reimand, është shprehur se pajisja e krijuar nga Respiray konsiderohet si një element shtesë në kutinë e mjeteve kundër virusit bashkë me vaksinat, barnat dhe distanciminn social.

“Nuk ka shkop magjik kundër virusit, por një numër përpjekjesh të kombinuara të cilat kontriubojnë në daljen nga pandemia”, shton Reimand.

Lidhur me funksionimin, pastruesi i ajrit bazohet te termodinamika e frymëmarrjes dhe vetitë dezinfektuese të dritës ultravioletë.

“Pajisja përbëhet nga një kuti plastike e cila qëndron rreth qafës nëpërmjet një ekrani opsional fytyre që shtrihet me drejtim për lart dhe lejon që fytyra të mbetet plotësisht e dukshme”, sqaron Reuters duke shtuar se pajisja mundësohet nga një bateri me një karikin që zgjat për rreth tetë orë.

Për sa i përket ajrit, kompania ka shpjeguar se ai kalon përmes një filtri i cili heq pluhurin dhe grimcat më të mëdha. Më pas, ajri rrjedh përmes modulit UV-C LED i cili vret viruset dhe bakteret përpara se të ventilohet drejt fytyrës së përdoruesit.

Sipas kompanisë, testet e kryera në Universitetin e Lodz-it në Poloni kanë treguar se ka pasur një ulje më 99.68% dhe 99.88% ndaj baktereve E.coli dhe S.aureus.

Ndërsa, në testin e kryer në Universitetin e Tartu-së në Estoni, është arritur neutralizimi me 99.4% i Alphavirus-it i cili ka madhësi dhe strukturë të ngjashme me SSARS-COV-2.

Këto kanë bërë që kompania Respiray të marrë porosi nga shitësit estonezë të cilët kanë vendosur të blejnë pastruesin e ajrit për stafin e tyre në shërbim të klientëve.

Dërgesat do të nisin në muajin mars, ndërsa çmimi me pakicë i pajisjes do të jetë 279 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore