Kosova

Dugolli: SHBA dhe BE duhet t’i dënojnë kërcënimet e Vuçiç’it, ndryshe veç trimërohet


Ilir Dugolli

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Ilir Dugolli, në një prononcim për revistën amerikane “The NewsWeek“, iu ka bërë thirrje SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian (BE) që t’i dënojnë kërcënimet e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sepse përndryshe ai veç po trimërohet që ta destabilizojë Kosovën.

“Serbia në thelb po e kërcënon Kosovën me agresion dhe ne konsiderojmë se çdo mosdënim nga BE dhe SHBA i kësaj retorike dhe dhunës së orkestruar do ta inkurajojë Serbinë që të shtyjë më tej destabilizimin e Kosovës”.

Duke komentuar tendencën qesharake të politikanëve serbë të cilët janë organizuar rreth Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për kthimin e personelit serb në Kosovë, diplomati kosovar tha se në territorin e Kosovës nuk do të ketë më policë dhe ushtarë nga Serbia.

“Ëndrra hegjemoniste e Serbisë nuk do të realizohet kurrë”.

Ai ka thënë se barrikadat e vendosura në pjesën veriore të Kosovës nga serbët lokalë janë përpjekjet e fundit të Serbisë për të destabilizuar Kosovën, por jo vetëm.

Ilir Dugolli dhe Joe Biden

“Regjimi autokratik në Beograd është angazhuar në përpjekje të vazhdueshme për të shkaktuar trazira dhe ata po e bëjnë këtë jo vetëm në Kosovë, por në vende të tjera si Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.”

Dugolli pohoi se angazhimi për këto përpjekje buron në ndikimin e vazhdueshëm të ish-udhëheqësit serb dhe fashistit Slobodan Millosheviç, i cili i rezistoi shpërbërjes së Jugosllavisë dhe mbështeti revoltat nacionaliste serbe në të gjithë Ballkanin në mes të luftërave të përgjakshme që çoi tek ndërhyrja e drejtpërdrejtë e NATO-s.

Ndërkaq, diplomati kosovar theksoi se sulmet dhe kërcënimet e Serbisë janë pretekste për të shmangur dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja në bazë të propozimit franko-gjerman.

“Beogradi është qartësisht i interesuar të sabotojë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, në qendër të së cilës duhet të jenë njohjet e ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, diçka që e kanë thënë një sërë liderësh dhe institucionesh – nga presidenti [Joe] Biden deri te Parlamenti Evropian”.

Sa i përket akuzave të zyrtarëve në Beograd se gjoja serbët në Veri po “persekutohen” dhe po “terrorizohen” nga Qeveria e Kosovës, Dugolli theksoi se “nuk ka raste të dokumentuara të shkeljes sistematike të të drejtave të serbëve”.

Gjithashtu, ai potencoi se përmes përshkallëzimeve dhe tensioneve, Serbia vazhdimisht kërkon të shpërqendrohet nga aktivitetet e saj në fusha të tjera, siç janë “refuzimi për të harmonizuar politikën e jashtme me BE-në dhe SHBA-në në lidhje me sanksionet kundër Rusisë, apo zgjerimin e bashkëpunimit me Iranin, Venezuelën dhe regjime të tjera të ngjashme”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore