Lajme

Dugolli ironizon me intervistën e Vuçiç-it në CNN: Jam në pozicion të vështirë për shkak të ekzekutimit të dobët të planit nga Radojiçiç


Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, ka ironizuar me deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në CNN të hënën.

Dugolli, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘X’, ka thënë se jusitifikimi i presidentit të Serbisë duket se është se “unë jam në një pozicion të vështirë”.

“Thelbi i justifikimit të Vuçiçit këtë herë duket se është: Unë jam në një pozicion të vështirë përballë provave të pakundërshtueshme që Policia e Kosovës kapi dhe për shkak të ekzekutimit të dobët të planit nga Radojiçiç, kështu që të gjithë duhet të vazhdojnë të mbajnë fjalën time për të ndërsa vazhdoj të tregoj më shumë informacione të pasakta”, ka shkruar Dugolli.

Ndaj deklaratave të Vuçiç-it ka reaguar edhe avokati i vëllezërve Bytyqi.

“E drejta për të qenë skeptik se Milan Radojiçiç do të përballet me përgjegjësi në Serbi. Të dhënat e Vuçiçit janë duke mbrojtur kriminelët e rëndë të luftës, si Goran Radosaljeviç, i cili ishte përgjegjës për vrasjet e vëllezërve Bytyqi”, ka shkruar avokati në platformën “X”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se “prokuroria do të bëjë punën e saj” në lidhje me Milan Radojiçiç, i cili pranoi përfshirjen e tij në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.

“Serbia sigurisht që do të kërkojë llogari nga të gjithë personat që kanë kryer vepra kriminale dhe janë në territorin tonë. Ai është gjithashtu i disponueshëm në territorin tonë dhe prokuroria do të bëjë punën e saj”, tha Vuçiç gjatë një interviste me Christian Amanpour për CNN.

Sakaq, ai theksoi se raportimet e Shtëpisë së Bardhë për grumbullimin e pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë Kosovës “nuk ishin plotësisht të sakta”.

Megjithatë, ai tha se numri është zvogëluar dhe se Serbia nuk ka nevojë për luftëra dhe konflikte me NATO-n.

“Gjithmonë kemi dëgjuar kur partnerët tanë na kërkuan të de-përshkallëzojmë situatën”, shtoi Vuçiç.

Ai theksoi se nuk ka firmosur që ushtria serbe të ngrihet në një nivel më të lartë gatishmërie.

“Serbia është vendi i fundit që kishte nevojë për ato incidente në Kosovë, të gjithë mund ta shihnin se Serbia ishte një partner konstruktiv”, argumentoi presidenti serb.

Ai akuzoi Kosovën se po kryen “spastrim gradual etnik” në veri, për të cilin gazetarja Amanpour tha se Bashkimi Evropian dhe SHBA-të nuk pajtohen me këtë vlerësim.

Ajo i kujtoi Vuçiç-it se pas negociatave në Ohër ka thënë se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen sepse “i dhemb krahu”, dhe e ka pyetur nëse ka ende dhimbje apo është gati për marrëveshje, për të cilën Vuçiç ka thënë se Serbia është konstruktive dhe këtë e kanë thënë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore