Shqipëria

“DuaTour” në Krujë


Dua Lipa dhe familja e saj gjatë vizitës në Muzeun e Krujës

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka ndërmarrë tashmë një tur për t’u njohur më nga pranë me historinë dhe traditat shqiptare, ku si ndalesë të parë pas kryeqytetit, ka zgjedhur Krujën.

E shoqëruar nga familja e saj dhe i dashuri, Anwar Hadid, Dua pati një ndalesë në pazarin e vjetër të Krujës dhe në Muzeun Historik “Skënderbeu”.

Gjatë vizitës, ajo nuk ka ngurruar të shprehë krenarinë që është shqiptare. Kuriozitet mbi historikun e Krujës ka treguar edhe Anwari.

Aty, Dua-s i është dhuruar edhe jeleku tradicional i Krujës, e punuar nga artizanet e zonës.

Në pamje të siguruara nga Albanian Post, vihet re Dua me familjen e saj, të cilët shijojnë panoramën mbresëlënëse që ofron një nga ballkonet e muzeut të Krujës.

Pas vizitës në muze, Dua i është drejtuar pazarit të vjetër, ku pati mundësi të komunikojë me artizanët krutanë. Një qeleshe e punuar enkas për të iu dhurua. Qeleshe, e cila nxiti buzëqeshjet dhe falënderimet e yllit botëror, me mirënjohje ndaj dhuratave të marra.

Dua Lipa pozon me qeleshen e personalizuar, të dhuruar nga një artizan krutan për yllin e muzikës botërore

Mikpritja krutane për Dua-n ka qenë mbresëlënëse, me thirrje të shumta “We love you Dua”. Turistë të shumtë amerikanë dhe britanikë u janë bashkuar atyre shqiptarë, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme në pazarin e vjetër të qytetit historik.

Dua që duam

Të premten e 23 korrikut, Dua zhvilloi takime me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe me kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.

Këngëtarja me famë botërore, u mësua se është përfshirë në projektin e rindërtimit të kopshteve, pas dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Në një konferencë për shtyp ndërkohë, Dua foli për projektet e saj muzikore. Po ashtu, edhe për angazhimin aktiv për të rritur imazhin e Shqipërisë në botë.

“Kam dëshirë të bëj një këngë shqip. Nuk e di nëse jam e aftë të shkruaj shqip. Por, dëshira është e madhe”, iu përgjigj ajo interesit të Albanian Post mbi projektet muzikore.

Ndërsa, mbi të qenit një ambasadore e Shqipërisë në Botë, ajo shprehu veçse krenari mbi origjinën e saj.

“Është me rëndësi të zhbëjmë stigmën që bota ka për shqiptarët. Ne kemi të rinj shumë të talentuar, me shumë ide. Duhet t’i tregojmë botës këtë fakt”.

“Dua është një super yll jashtë skene, po aq sa në të”.

Këto ishin fjalët që Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, përdori për të përshkruar këngëtaren me famë botërore, pasi ka darkuar me të.

“Bisedë e mrekullueshme mbi njohjen e fuqisë dhe përgjegjësisë që të gjithë ne kemi (edhe nëse ende nuk e kemi shfaqur atë)”, shkruan ambasadorja në një postim në Instagram.

Sipas saj, qasjet si e Dua-s, e bëjnë botën një vend më të mirë. Këtë, mund ta bëjë çdokush në mënyrën e tij.

Ndalesa të radhës në qytete historike dhe në bregdetin shqiptar, priten në vijimësinë e këtij “DuaTour”-i në Shqipëri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore