Shëndet

Drena De Niro thotë se “fentanili i mori jetën djalin e saj”


Leandro De Niro Rodriguez, nipi i aktorit fitues të çmimit “Oscar”, Robert De Niro, i cili vdiq së fundmi në moshën 19-vjeçe, thuhet se e ka humbur jetën pasi ka gëlltitur drogën e përzier me fentanil.

Këtë detaj e ka bërë publike nëna e të ndjerit, Drena De Niro, e cila fillimisht ka falënderuar publikun për kujdesin dhe ngushëllimet dhe më pas ka shtuar se djalit të saj i ishin shituar pilula me përmbajtje fentanili, shkruan CNN, transmeton AlbanianPost.

“Me tronditje dhe pikëllim të pamasë i themi lamtumirë djalit tonë të dashur Leo. Ne ju falënderojmë për dashurinë dhe mbështetjen, si dhe kërkojmë që të na jepet privatësia në këtë moment për të përballuar këtë pikëllim”, ka shkruar ajo.

“Dikush i shiti atij pilula të lidhura me fentanil dhe ata e dinin këtë, por përsëri ia shitën atij, kështu që për të gjithë këta njerëz që ende po rrinë duke shitur dhe blerë këtë substancë, djali im është zhdukur përgjithmonë”, shtoi ajo.

Gati 70 mijë njerëz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vdiqën nga mbidoza e drogës që përfshinte fentanil në vitin 2021, pothuajse një rritje e katërfishtë gjatë pesë viteve,

Deri në vitin 2021, rreth dy të tretat e të gjitha vdekjeve nga mbidoza përfshinin opioidin sintetik të fuqishëm.

Gjithsesi, Drena De Niro kishte njoftuar vdekjen e djalit të saj përmes një postimi në Instagram.

“Ti ke qenë gëzimi im zemra ime dhe gjithçka që ka qenë ndonjëherë e pastër dhe e vërtetë në jetën time”, shkruhej pjesërisht në mbishkrim.

“Nuk e di si të jetoj pa ty, por do të përpiqem të vazhdoj dhe të përhap dashurinë dhe dritën që më bëre të ndieja duke u bërë mamaja jote. Ti ishe aq thellësisht i dashur dhe i vlerësuar dhe uroj që vetëm dashuria të të kishte shpëtuar”, ka shtuar ajo.

Përndryshe, Leandro De Niro Rodriguez ishte shfaqur, së bashku me nënën e tij, në filmin e vitit 2018 “A Star Is Born”, me protagonistë Bradley Cooper dhe Lady Gaga.

Angazhimet e tij të tjera të aktrimit përfshijnë “Cabaret Maxime” në vitin 2018 dhe “The Collection” në vitin 2005.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore