Sport

Drejtori sportiv i Shkupit: Nuk dua titull apo kupë nëse një shqiptar lëndohet


Pas ngjarjeve të turpshme që ndodhën sot (e mërkure) në ndeshjen e Kupës së Maqedonisë së Veriut mes dy skuadrave më të mëdha shqiptare, Shkupit dhe Shkëndijës, ka reaguar drejtori sportiv i Shkupit, Omer Bunjaku.

Bunjaku ka dënuar ashpër sulmet që ndodhën nga tifozët e klubit të tij, derisa ka shtuar që nuk kanë vlerë sukseset në lojë, derisa përçahen shqiptarët.

“Kjo nuk është dashuri ndaj klubit, grupit, qytetit, kombit. Dënoj ashpër të gjithë ata që u futën në fushë dhe më vjen turp për këto skena që i pash sot në stadiumin tonë me shumë histori, traditë dhe kulturë, ka shkruar Bunjaku në profilin e tij në Facebook.

“Kjo është vetëm një ndeshje futbolli, unë nuk dua këso lloj fitore, kupë apo titull nëse një shqiptar lëndohet”, tha drejtori sportiv i skuadrës së Shkupit.

Kujtojmë që ndeshja e lartpërmendur u ndërpre pas vetëm 10 minutash lojë, kur mysafirët nga Tetova kaluan në epërsi, e pas këtij rasti, tifozët e Shkupit hynë në fushë duke sulmuar futbollistët e Shkëndijës.

Ndërkohë, dy tifozeritë: “Ballistët” e Shkëndijës dhe “Shvercerat” e Shkupit njihen për rivalitet të madh mes tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore