Lajme

Drejtori i ShSKUK-së: Kemi ngecje në furnizim me barna dhe mungesë higjiene


Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinikë dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, ka tetë ditë që ka marrë këtë detyrë, por “mungesën e higjienës dhe ngecjen në furnizimin me barna”, ai i ka paraqitur si sfidat kryesore në menaxhimin e këtij institucioni.

Ai në Komisionin për Shëndetësi ka paraqitur disa nga prioritetet e tij dhe sfidat gjatë përballjes në menaxhimin e ShSKUK-së.

Azizi, në Komision ka treguar disa nga sfidat me të cilat po përballet menaxhimi i ShSKUK-së.

“Gjatë kësaj periudhe kohore kam bërë vizita që të njihem me infrastrukturën, në QKUK dhe ShSKUK. Sfidat tjera janë furnizimi i barnave, mungon dokumentacioni i brendshëm, nuk ka protokolle dhe as rregullore të brendshme”.

Sipas tij, prioritet duhet të jetë garantimi i një liste të shërbimeve shëndetësore.

“Infrastruktura është e vjetruar dhe jemi vonë me digjitalizimin e proceseve. Është detyrë themelore që të garantohen një listë e shërbimeve shëndetësorë, të gjithë jemi të vetëdijshëm që ekziston një ngecje në furnizim me barna”, tha Azizi.

Ndërsa, potencoi se sfidë tjetër është edhe mungesa e një programi të higjienës.

“Mungon udhëzimi apo instruksionet se si stafi duhet të sillet në momente të caktuara, s’ka program të higjienës në infeksionet spitalor. Misioni im është fuqizimi dhe përmirësimi, sa i përket infeksioneve jemi të kufizuar edhe për shkak të infrastrukturës spitalore”.

Azizi, ka sqaruar se kanë për qëllim furnizimin sa më të shpejt të listës esenciale të barnave, pas aprovimit nga Ministria e Shëndetësisë.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm që ekziston një ngecje në furnizim e cila shkakton gjithmonë dështime të ofrimit të shërbimeve shëndetësore të sigurta. Lista e esenciale e barnave të re është aprovuar nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, por që ajo akoma nuk ka arritur që të pasqyrohet brenda furnizimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës”.

“Edhe kjo është njëri nga misionet e mija që sa më shpejt ta inkuadrojë listën e re esenciale dhe t’i përfshijmë këto produkte të reja të cilat janë inkuadruar në listën esenciale në ShSKUK”.

Si drejtor i ri në këtë institucion shëndetësor, ai para Komisionit paraqiti edhe misionin e tij.

“Misioni im është fuqizimi dhe përmirësimi i kontrollit të infeksioneve brenda spitalore. Do të inicioj auditime klinike, vetëinspektime të ShSKUK-së si dhe do ta bëjë një sistem transparent dhe të mirëfilltë të vlerësimit të kënaqësisë së pacientit apo konsumatorit tonë përfundimtar”.

Problemet në klinika, mungesa e infrastrukturës, mungesa e barnave, fashave, lista e pritjes në QKUK, çmimet e barnave, infuzioneve, e krejt në fund largimi çdo vit e më shumë i mjekëve nga Kosova, vazhdojnë të jenë vetëm disa nga problemet e vjetra që e shoqërojnë shëndetësinë kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore