Shqipëria

Drejtësia dhe Korrupsioni në Shqipëri: Dështimet e Investimeve në Kapitalin Njerëzor dhe Gjinor


Kjo është pjesa e dytë e një cikli prej katër analizash.

Sfida dhe Trashëgimia e Mandatit të Katërt të Edi Ramës në krye të PS ishte analiza e parë e publikuar në Albanian Post.

Lufta kundër korrupsionit ka qenë një nga shtyllat e qeverisjes së Kryeministrit Edi Rama në mandatin e tretë, edhe pse përpjekjet nisin që nga fillimi i mandatit të tij të parë. Megjithatë, progresi në këtë drejtim ka qenë i ngadaltë dhe shpesh i pasuksesshëm.

Një nga gabimet kryesore që ka shoqëruar përpjekjet kundër korrupsionit është besimi se gratë (për shkak të perceptimit të përgjithshëm si më pak të korruptuara se burrat) dhe individët e shkolluar jashtë Shqipërisë, do të ishin më të imunizuar ndaj kësaj plage. Në fakt ky tregues moral ka qenë shpesh një bazë e gabuar për ndërtimin e një klase të re politike dhe administrative.

Në disa raste, gra që janë promovuar në pozita të larta janë parë si simbol i integritetit dhe luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, realiteti tregon se korrupsioni nuk njeh gjini dhe, përkundrazi, disa nga gratë që kanë arritur në pozita të fuqishme kanë qenë të përfshira në skandale të rëndësishme korruptive. Një shembull krahasues mund të merret nga Rumania, ku disa prej figurave më të njohura të luftës kundër korrupsionit ishin gra, por disa prej tyre u përballën më vonë me akuza për përfshirje në korrupsion.

Nga ana tjetër, investimi në të shkolluarit jashtë Shqipërisë gjithashtu nuk ka arritur të sjellë ndryshimin e pritur. Edhe pse këta individë shpesh kanë një përgatitje akademike dhe profesionale të admirueshme, kjo nuk përkthehet automatikisht në një përkushtim ndaj transparencës dhe qeverisjes së pastër.

Kjo tregon se kapitali njerëzor nuk mund të garantojë gjithmonë standardet morale dhe etike që lidhen me qeverisjen e mirë. Në disa raste, individët e shkolluar jashtë vendit kanë përdorur përvojat dhe rrjetet e tyre ndërkombëtare për të avancuar interesa të ngushta personale dhe për të ndërtuar struktura të reja klienteliste.

Problemi i korrupsionit ka një rrënjë më të thellë dhe është i lidhur me gjenezën socio-historike të Shqipërisë, veçanërisht periudhën e pas-komunizmit. Shqipëria, përveçse një diktaturë e ashpër, ishte gjithashtu diktatura më e varfër në Evropë. Në vitin 1990, vendi ishte zyrtarisht më i varfri në Evropë. Rënia e komunizmit nuk solli konsolidimin e menjëhershëm të demokracisë, por çoi në një anarki funksionale.

Kalimi nga kontrolli absolut në një hapësirë të pakontrolluar e ekspozoi vendin ndaj rritjes së kriminalitetit dhe korrupsionit. Ndërkohë që komunizmi përdorte rendin kriminal për të mbajtur kontrollin, pluralizmi politik u zhvillua përmes lirisë së pakontrolluar që shpesh përfundoi në abuzim dhe kaos.

Shqipëria deri në vitin 1990 ishte vendi më i prapambetur në Evropë, pa automjete private, pa ndonjë grup muzikor modern, dhe pa qasje në literaturë bashkëkohore. Frustrimi i akumuluar nga dekada të izolimit nuk u lirua përmes lirive civile, por përmes shfrenimeve të pakufizuara, duke çuar në humbjen e kufirit midis lirive dhe abuzimit.

Pas viteve 1990, Shqipëria nuk u ndërtua mbi një rend të sigurt publik, por përmes operacioneve individuale dhe të pakontrolluara. Nga shteti totalitar kaloi në një zhvendosje drejt subjektit individual, ku gjithçka varej nga aftësia e individit për të mbijetuar në një ambient shoqëror të paqëndrueshëm. Kjo mungesë e strukturave të qëndrueshme dhe prania e një shteti të dobët çoi në zhvillimin kriminal të pasurisë.

Megjithatë, pavarësisht sfidave, sot Shqipëria është një vend krahasueshëm me rajonin në nivel të krimit dhe korrupsionit. Në krahasim me Serbinë, që është në proces negociatash, apo me Bullgarinë, një vend anëtar i BE-së, Shqipëria ka bërë progres të dukshëm në këtë drejtim. Niveli i krimit dhe korrupsionit duhet të vlerësohet në parametra rajonalë dhe jo në krahasim me idealet e shteteve nordike. Natyrisht, ka shumë punë për të bërë, por trendi mbetet pozitiv.

Në këtë kontekst, përvoja nga vende të tjera, si Kroacia dhe Gjeorgjia, tregon se lufta kundër korrupsionit kërkon një qasje më të thelluar dhe sistematike, që nuk bazohet në tregues të tillë sipërfaqësorë si gjinia apo arsimimi ndërkombëtar. Një qasje më e efektshme do të ishte të fokusohej në krijimin e një kulture të qëndrueshme të përgjegjshmërisë dhe transparencës, që mbështetet në zbatimin e ligjit dhe mbikëqyrjen e rreptë institucionale, dhe jo thjesht në karakteristikat individuale të liderëve.

Në përfundim, përpjekjet e qeverisë për të luftuar korrupsionin në Shqipëri kanë treguar se të bazohesh në tregues moralë sipërfaqësorë si gjinia apo arsimimi nuk është e mjaftueshme për të arritur rezultate të qëndrueshme. Korrupsioni është një sfidë që kërkon ndryshime të thella kulturore dhe strukturore. Për të arritur një qeverisje të pastër dhe të përgjegjshme, është e domosdoshme të investohet në një sistem institucional të qëndrueshëm dhe të pavarur, i cili të mbikëqyrë të gjithë ata që janë në pushtet.

Por jo vetëm aq. Duke qenë një fenomen endemik, social i përgjithshëm, që prek të gjitha shtresat e shoqërisë, ashtu sikurse do të ishte mirë për tematikat e lidhura me ambientin, lufta kundër korrupsionit nga sipër (qeveri, parlament e drejtësi) është e nevojshme dhe e domosdoshme, por e pamjaftueshme.

Do të duhet një rrjet i gjerë preventiv dhe edukues funksional, duke filluar nga futja e koncepteve në shkollat fillore e tutje, në të gjithë sistemin edukativ; do të duhet që mediat, universitetet e qendrat studimore të punojnë nga ana e tyre në formimin e një mentaliteti anti-korruptiv.

Dhe kur flasim për mediat, në ndihmë të sistemit edukativ, do të duhet që ato t’i shërbejnë debatit konstruktiv përmes programesh që nuk ndërtojnë gjuhë dhe figura, të cilat në fakt shërbejnë për të ndërtuar një rrugë të rrezikshme për jetën reale.

Emisione të tilla janë të panumërta dhe nuk ka ose ka shumë shumë pak alternativa që nuk mundet t’i luftojnë modele te tilla masive dhe thjeshtësisht të pëlqyeshme nga publiku masiv.

Kjo ndodh edhe për faktin se një pjesë e mediave nuk po e gjejnë vendin në treg, i janë futur rrugës më të lehtë të fitimit dhe të qenurit pranë Qeverisë, e cila prej kohësh e ka vrarë gjuhën e kritikës dhe të ballafaqimit, kjo i ka pëlqyer.

Siç thoshte George Orwell “Gazetari do të thotë të botosh atë që të tjerët nuk duan të botohen. Çdo gjë tjetër është reklamë”.

Pa një zgjidhje, e zorshme duket të ketë një emancipim kolektiv, ku të shihen realisht ndryshime rrënjësore.

Atëherë ndoshta realisht do të shihen rezultatet e mirëfillta brenda shoqërisë.

Ndërkohë nesër, në Albanian Post do të publikohet artikulli: Çfarë Simbolizon Mandati i Katërt për Kryeministrin Rama? Trashëgimia e “Last dance”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore