Sport

Draxler afër rikthimit në Gjermani


Futbollisti i Paris Saint-Germain, Julian Draxler, duket të jetë shumë pranë rikthimit në Bundesligën gjermane, aty ku luajti më herët me ekipin e Schalke-s dhe Wolfsburg-ut.

Mirëpo, kësaj radhe 28-vjeçari pritet të transferohet te ekipi i Bayer Leverkusen, për të cilët, Draxler është një nga objektivat kryesorë për ta pasur në skuadër.

Pas blerjeve të reja nga skuadra e PSG-së, Draxler tani më e ka të pamundur të ketë një vend në formacionin titullar të Parisit.

Sipas mediave franceze, Paris Saint Germain do të hiqte dorë me kënaqësi nga futbollisti gjerman dhe madje i ka vendosur edhe një çmim prej 20 milionë eurosh për kartonin e tij.

Mirëpo, Leverkusen thuhet se nuk do ta paguajë këtë çmim, por do të presin ditët e fundit të afatit kalimtar, në mënyrë që skuadra franceze të ulë çmimin për kartonin e tij, duke parë faktin që Draxler tani më është i tepërt në kryeqytetin francez.

Gjithashtu përparësi për klubin gjerman, është se edhe vet futbollisti ka pranuar që të transferohet atje, madje duke pranuar që të reduktojë ndjeshëm pagën e tij që aktualisht e përfiton te Parisi.

Kjo pasi që Draxler ka humbur vendin në përfaqësuesen gjermane, duke luajtur shumë pak te PSG-ja dhe vetëm një rikthim në formacionin titullar në klub, ndoshta do të tërhiqte vëmendjen e trajnerit të Gjermanisë, Hansi Flick, që ta rikthejë atë në skuadër.

Kujtojmë që Draxler, karrierën e nisi te skuadra e Shalke-s, ku luajti për pesë sezone, gjatë viteve 2010 deri 2015.

Pastaj skuadra tjetër gjermane, Wolfsburg bleu kartonin e tij për shumën e 43 milionë eurove në verën e vitit 2015, të cilin pas një viti e gjysmë e shiti te skuadra franceze për 36 milionë euro.

Që nga janari i vitit 2017, Draxler ka luajtur 177 ndeshje me skuadrën e Parisit, me të cilët ka shënuar 25 gola.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore