DPS: Me zgjedhjen e Mandiç-it në krye të parlamentit, Mali i Zi fillon një rrugë antievropiane e pro ruso-serbe

SHFLETO

Andrija Mandiç

 

Dini Fetahu
15.10.2023 13:36
Loading Icons...

Partia Demokratike e Socialistëve – e ish-presidentit malazez Milo Gjukanoviç – ka reaguar pas raportimeve për arritjen e marrëveshjes për formimin e qeverisë së re, nga Lëvizja Evropa Tani – që drejtohet nga Milojko Spajiç – dhe koalicioni “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb.

Në bazë të kësaj marrëveshje parashihet që Andreja Mandiç, një nga liderët e koalicionit “Për Ardhmërinë e Malit të Zi”, të jetë në krye të Kuvendit malazez – post ky që fillimisht parashihej që t’i jepej liderit të demokratëve Aleksa Beçiç.

Prandaj, duke ditur orientimin e Mandiç-it, nga DPS-ja kanë thënë se me zgjedhjen e tij në postin e kreut të kuvendit, “Mali i Zi zyrtarisht do të ketë një qeveri antievropiane, serbe të madhe dhe pro-ruse”.

“Çlirimi i Malit të Zi nga antifashizmi, evropianizim dhe kursi perëndimor – i cili filloi më shumë se tre vjet më parë me mbështetjen e pambuluar të bashkësisë ndërkombëtare – kulmon këto ditë me njoftimin se i akuzuari terrorist, i cili pretendon se presidenti i tij është Vladimir Putin, do të marrë postin e kreut të Kuvendit dhe se tashmë vitin e ardhshëm drejtuesit e Frontit Demokratik do të jenë pjesë përbërëse e Qeverisë”, theksoi DPS, transmetojnë mediat malazeze.

Nga kjo parti pohojnë se nëse ky gjë eventualisht ndodhë, Mali i Zi “do të ketë një qeveri të tretë që haptazi punon kundër interesave shtetërore dhe presidenti aktual i së cilës është Aleksandër Vuçiç”.

“Është e qartë se Mali i Zi do të devijojë nga rruga evropiane dhe perëndimore dhe se prioritet në punën e Qeverisë do të jetë nënshtrimi ndaj interesave të Beogradit zyrtar dhe Moskës”.

“Më në fund kushdo që merr pjesë në Qeverinë e ardhshme të Malit të Zi do të konfirmojë se udhëhiqet ekskluzivisht nga interesat partiake dhe jo nga shteti dhe se është gati ta tradhtojë Malin e Zi për një grusht parti private”, shtuan ata.

Milojko Spajiç – lideri i Lëvizjes Evropa Tani – si fitues i zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit është mandatuar nga Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, për të formuar qeverinë e 44-të malazeze.

Milojko Spajiç

Fillimisht, Spajiç kishte negociuar, duke mos pasur numrat e nevojshëm për ta bërë qeverinë vetëm, me demokratët që udhëhiqen nga Aleksa Beçiç, dhe me partitë e pakicave kombëtare në Mal të Zi, shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët – të cilët kanë marrë një numër të konsiderueshëm mandatesh.

Ai kishte përjashtuar çfarëdo mundësie që të ketë në koalicion Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Lëvizjen Qytetare “URA” – që udhëhiqet nga kryeministri me mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, por edhe koalicionin “Për Ardhmërinë e Malit të Zi” – të njohur për orientimin e tyre pro-ruso-serb.

Mirëpo, me këto negociata nuk ishte pajtuar presidentit Milatoviç, njëherit nënkryetar i Lëvizjes Evropa Tani, i cili kishte kërkuar që të gjitha forcat politike që kishin fituar në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, çka kishte shënuar humbjen për herë të parë të pushtetit nga partia e ish-presidentit Gjukanoviç, të ishin pjesë e qeverisë.

Duke mos arritur që t’i sigurojë numrat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re, dhe me thirrjet e Milatoviç-it për të marrë në qeveri partitë pro-serbo-ruse, Spajiç filloi negociatat me ta, ku po raportohet se është arritur marrëveshje se njëri nga liderët e këtij koalicioni, Andreja Mandiç, do të jetë në krye të kuvendit malazez.

Partitë shqiptare, që në fillim e kishin përkrahur Spajiç-in për kryeministër, pas kësaj lëvizje, tanimë nuk dihet nëse do të jenë apo jo pjesë e ekzekutivit të tij.

Kryetari i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, ka deklaruar se të hënën do të vendosin për këtë çështje, derisa edhe boshnjakët, të cilët kanë 6 mandate, po raportohet nga mediat malazeze se nuk do të jenë pjesë e qeverisë së Spajiç-it.

Për ta formuar qeverinë, Spajiç i duhet shumica e thjeshtë, pra 41 deputetë nga 80 sa i ka gjithsejtë parlamenti malazez.