Shqipëria

Dosja Gërdeci, Mediu kërkon riekspertim të dëmit ekonomik: Ekspertët ishin të palicencuar


Seanca në ngarkim të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu – për dosjen Gërdeci – është shtyrë për më 26 qershor.

Avokatët e Mediut kërkojnë të kryhet një akt i ri ekspertimi financiar me pretendimin se ekspertët kanë qenë të palicencuar. Pesë ekspertët kanë kërkuar kohë që të lexojnë aktin e tyre të ekspertimit të dëmit ekonomik.

“Dua të sqaroj pozicionin tonë. Ne nuk jemi ekspert të licencuar, raporti jonë nuk mund të merret si ekspertizë. Ne kemi bërë një verifikim dokumentacioni, i kemi dhënë mendim prokurorit të çështjes por jo ekspertizë. Kemi dhënë mendim të specializuar që na është kërkuar”, tha Latif Çela.

Ndërsa gjyqtarja Irena Gjoka e ka pyetur se “kështu i bie të keni kryer akt ekspertizë të rremë?”

“Absolutisht jo, ne sjemi thirrur si ekspert. Kërkojmë kohë të njihemi”, deklaruan ekspertët.

Vetë Mediu ripërsëriti kërkesën për një akt ekspertizë të re.

“Unë ua kam thënë që nuk jam njohur me këtë akt. Kjo situatë tregon tendencën për të na çuar në absurditetet. Edhe zotërinjtë thonë që nuk kanë qenë ekspert të liçencuar. Shoh një tërheqje të prokurorisë, duke insistuar në mos thellim të veprimeve duke marrë për bazë një akt ekspertizë që sështë bërë nga ekspertë. Kërkojmë të bëhet akt ekspertizë e re. Kam kërkuar aktet në prokurori e gjykatë dhe nuk i kam marrë. Nëse duam një proces që s’është thjesht vullnet i njëanshëm i prokurorisë le të bëjmë një debat normal gjyqësor”.

Ndërkaq një muaj më parë, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar një kërkesë të bërë nga avokatët e ish-ministrit lidhur me një akt të ri ekspertimi ekonomiko-financiar.

Për këtë, Mediu vetë, në një dalje për mediat pas seancës, ka thënë se SPAK është duke kërkuar një “kokë turku” për gjithë ngjarjen.

Fillimisht, avokati i Mediut ka thënë se ekspertët e përzgjedhur për kryerjen e akt ekspertimit, nuk kanë licencë.

Pikërisht mbi këtë bazë e kishin ngritur edhe pretendimin, duke argumentuar se akuza e SPAK ka probleme, nëse prova e paraqitur si akti i ekspertimit merret parasysh.

Në bazë të mbrojtjes, katër nga pesë ekspertët nuk kanë licencë dhe janë nëpunës shtetërorë.

Sipas vetë Mediut ndërkaq, sot është parë qartë një persekutim ndaj tij, i cili ndodh prej 16 vjetësh, për ta bërë fajtor rreth shpërthimit të Gërdecit.

“Edhe sot u pa qartë që prej 16 vjetësh vijon persekutim personal e familjar se Mediu ka qenë shkaktar i Gërdecit. Sipas akuzës unë duhet të dija gjithçka. Duhet një “kokë turku” për Gërdecin. Ekspertët nuk janë të licencuar. Në aktin e ekspertimit nuk kanë firmosur si ekspertë por si përfaqësues të KLSH dhe auditi. E kemi provuar me fakte se nuk është ministri që e zgjodhi Gërdecin”, theksoi ai.

Më 2 maj ndërkaq, avokatët e Mediut kanë kërkuar që pyetja e pesë shtetasve amerikanë të bëhet përmes videokonferencës, pasi kjo do të ishte në të mirë të procesit dhe do të ndihmojë në zbardhjen e së vërtetës.

Amerikanët kanë ofruar si një mundësi, marrjen në pyetje të tyre nga agjentët e FBI. Avokatët kanë kërkuar autorizimin si ndërmjetës të gjeneral major Andrew Turley.

Në lidhje me kërkesën për pyetjen me videokonferencë, prokurorët kanë rënë dakord, por pritet vendimi i gjykatës.

Ndërtimi i situatës

Deri më tani GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak.

Më 10 janar Mediu u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme dhe deklaroi atë ditë se “i është prezantuar i njëjti fashikull, me të njëjtin prokuror, njëjtën akuzë pa shtuar asnjë dokument shtesë nga 2009”.

Ishte Gjykata e Lartë në Shqipëri, që më 28 tetor të vitit 2021 depozitoi në SPAK dosjen për ish-ministrin dhe do të ishte Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila do t’u hapte rrugën hetimeve.

Kjo pasi më 12 tetor bëri me dije se Mediu nuk është gjykuar më parë, për shkak të imunitetit të deputetit që zotëronte në atë kohë.

Më tej, bëhet me dije se afatet e parashkrimit janë respektuar, pasi Mediu është marrë i pandehur që në vitin 2009.

Nga ana tjetër, rënia e kushtit, tashmë, të imunitetit do t’i hapë dyert drejtësisë për të nisur gjykimin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore