Sport

Dortmund-i lë në pritje Leipzig-un për Halstenberg


Borussia Dortmund-i ende nuk ka rënë dakord për një marrëveshje përfundmitare për transferimin e Marcel Halstenberg-ut nga Leipzig-u. Verdhezinjtë, së pari duan të sistemojnë Nico Schulz-in.

Sipas gazetës gjermane “Kicker”, Dortmund-i e ka vendosur prej kohësh në planet e tij gjermanin Halstenberg, por për momentin bisedimet po zvarriten.

Arsyeja e zvarritjes së bisedimeve mes verdhezinjve dhe Leipzig-ut është e qartë sipas “Kicker”. Ata kërkojnë të largojnë më parë Schulz-in, për t’i bërë vend Halstenberg-ut.

28-vjeçari Schulz mbërriti nga Hoffenheim-i për 25.5 milionë euro, por nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë në dy sezonet e tij të parë në “Signal Iduna Park”.

Në krahun tjetër, 29-vjeçari Halstenberg ka edhe një vit kontratë me Leipzig-un dhe Dortmund-i mund ta nënshkruajë atë për një shifër 8-12 milionë euro.

Halstenberg-u në të kaluarën ka qenë pjesë e Borussia Dortmund II, nga viti 2011 deri në 2013, ku u aktivizua në 68 ndeshje dhe nga ku shënoi gjashtë gola dhe dhuroi katër asiste.

29-vjeçari, që nga viti 2017, është pjesë e Kombëtares së Gjermanisë.

Ai ishte pjesë e panzerave në Euro 2020 ku u paraqit vetëm në një ndeshje, atë përballë Portugalisë, të fituar 4-2 nga gjermanët. Por, u aktivizua vetëm 28 minuta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore