Kosova

“Dorë e djathtë e Rugovës, truri i lëvizjes për liri”, Abdixhiku përkujton Fehmi Aganin në 25 vjetorin e vrasjes


Foto nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumri Abdixhiku.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në 25 vjetorin e vdekjes së Fehmi Aganit, e ka kujtuar atë si “i urti i rrugëtimit të fuqishëm për liri e pavarësi”.

Abdixhiku, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se Agani ishte dora e djathtë e ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Politikani, sociologu, truri i lëvizjes për liri, pavarësi e demokraci, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dora e djathtë e presidentit Rugova, mbetet njëri ndër figurat më të mëdha kombëtare. Maturia, urtësia e thellësia e mendimeve të tij, janë shenja të secilit kujtim që sot kemi për të”.

“Ai u vra 25 vite më parë, më 5 maj të vitit 1999. Vrasja e tij nga forcat ushtarake e policore serbe, ishte akt hakmarrjeje për triumfin tonë historik; Ishte vrasje e boshtit intelektual e ideologjik të vet Kosovës”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka potencuar se në këtë përvjetor së bashku me struktura nga mërgata, kanë nderuar dhe kujtuar profesor Aganin tek këndi i tij.

Duke shtuar se “tani është pjesë e pandashme e shtëpisë së madhe të demokracisë!”.

Akademik Fehmi Agani u vra nga forcat serbe me 6 maj të vitit 1999, në tentativën për të ikur nga Kosova së bashku me familjen e tij.

Fehmi Agani bashkë me familjen e tij kishte hipur në tren, për të ikur në Maqedoni.

Në kufi ky tren ishte kthyer mbrapsht dhe në afërsi të Fushë Kosovës të gjithë pasagjerët ishin zbritur me dhunë nga forcat serbe. Profesor Aganin e marrin.

Një ditë më vonë trupi i tij ishte gjetur në një rrugë të baltosur afër qytetit të Lipianit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore