Kosova

Doracaku i mësimdhënësve, garanton mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, gjatë promovimit të doracakut për mësimdhënës me aktivitete mbi të drejtat e fëmijëve, theksoi që ky doracak ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsim.

“Ky doracak ofron rritje dhe ndërgjegjësim për mësimdhëniet në lidhjen me Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve si dhe u ofron nxënësve mundësi të dinë për të drejtat e tyre. Ky doracak ngrit cilësinë në arsim. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të fëmijëve është qëllim i Qeverisë dhe ministrisë”.

Sipas saj, duhet që të rritet ndërgjegjësimi i mësimdhënësve për të drejtat e fëmijëve, por edhe këta të fundit të dinë më shumë për të drejtat dhe liritë e tyre.

“Ne në ministri jemi duke punuar në implemtimin e ligjit për mbrojtjen e fëmijëve në shumë fusha, duke filluar nga dhuna e deri te ndalja nga shkolla. Edukimi është esencë dhe bazament i një shoqërie”, deklaroi Nagavci.

Nagavci, konsideron si ky doracak do të jetë pjesë e përditshme e mësimdhënësve.

“Implementimi i këtij doracaku duhet të jetë pjesë e përditshme e pandalshme e mësimdhënësve”.

Lansimi i doracakut nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShtI)

“Doracaku është online në ueb faqen e MAShTi, kopje fizike do të shpërndahen edhe  në shkolla, atë mund ta kenë edhe prindërit dhe ata që kanë interes. Respektimi i të drejtave të fëmijëve duhet te jetë pjesë e synimeve dhe qëllimeve tona të përditshme”.

Ndërsa, Habit Haradinaj, drejtor për Qeverisje të Mirë në zyrën e kryeministrit, theksoi se po punohet në hartimin e akteve nënligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

“Mbrojtja e fëmijëve kërkon angazhimin e të gjithëve pa përjashtim. Për ne si Qeveri kjo është prioritet dhe jemi në progresin më të madh në nxjerrjen e akteve nënligjore dhe po bëjmë harmonizimin e tyre. Ky bashkëpunim sjell progres, këtë e kemi obligim për fëmijët”, sqaroi Haradinaj.

Ndërkaq, Kanarina Shehu nga Save the Children, deklaroi se synojnë që fëmijët të kuptojnë të drejtat e tyre dhe të kërkojnë llogari.

“Kemi mbështetur ministrinë për ngritjen e kapaciteteve. Kemi filluar të punojmë edhe për të drejtat e fëmijës”. Ky doracak është shërbim adekuat, me të cilin synojmë që fëmijët të kuptojnë të drejta e tyre dhe kërkimit të llogaridhënies gjatë vijimit të edukimit”, thotë Shehu.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore