Sport

Donnarumma flet për rikthimin në San Siro: “Shpresoj të mos kem pritje armiqësore”


Mbrëmjen e së mërkurës do të zhvillohet gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kombeve, ku do të përballen Italia dhe Spanja në stadiumin e qytetit të Milanos, “San Siro”.

Kjo përballje pritet të jetë më e veçantë për portierin e Paris Saint Germain, Gianluigi Donnarumma-n, i cili do të jetë për herë të parë si një ish-lojtar në këtë stadium, ku do të mbrojë portën e Italisë.

Donnarumma rikthehet në “San Siro”, pas më shumë se katër muajsh, aty ku filloi karrierën si një adoleshent 16-vjeçar, por e përfundoi me një lamtumirë jo shumë të ëmbël.

Ai u largua si një agjent i lirë nga Milano, pasi që i skadoi kontrata me kuqezinjtë, i cili refuzoi rinovimin duke pranuar ofertën më të mirë financiare të klubit nga Parisi.

Në konferencën për media para ndeshjes Itali – Spanjë, Donnarumma nuk e lë pa e përmendur rikthimin në qytetin e Milanos, derisa tha se do të jetë një emocion i veçantë.

Këtë ndeshje pritet ta ndjekin rreth 32 mijë tifozë në stadium, prej të cilëve një pjesë e mirë do të jenë të Milan-it dhe ai shpreson që mos të vërshëllehet nga ta.

“Do të jetë emocionuese, klubi dhe qyteti i Milanos do të mbeten gjithmonë pjesë qendrore e jetës time. Do të më vinte keq nëse do të merrja një pritje armiqësore nga tifozët, pasi ne jemi këtu për ekipin kombëtar dhe për të fituar Ligën e Kombeve”, tha Donnarumma.

22-vjeçari më tej komentoi formën që po kalon ekipi i Milan-it, duke thënë se dashuria për klubin kuqezi, do të mbetet gjithmonë në zemrën e tij.

“Nuk ka asgjë të keqe mes meje dhe Maldinit. Do të jem i lumtur ta gjej përsëri, do të flasim qetësisht. Jam i kënaqur me rrugën që po bën Milan-i, do të jem gjithmonë një tifoz i tyre. Jam i lumtur me Piolin, e dëgjoj shpesh”, tha mes tjerash portieri italian.

Kujtojmë që Donnarumma e filloi karrierën e te Milan-i në tetor të vitit 2015, kur ishte një 16-vjeçar, ku më pas zhvilloi 251 paraqitje në të gjitha garat me klubin kuqezi.

Ai gjithashtu është pjesë e kombëtares së Italisë, ku ka mbrojtur portën në 36 ndeshje zyrtare, madje në Kampionatin Evropian “Euro 2020”, ishte një nga protagonistët kryesorë që Italia ngriti lart trofeun.

Për Donnarumma-n, drejtuesit e klubit të Milan-it refuzuan shumë miliona nga klube të ndryshme për ta transferuar atë, por ai në fund vendosi largimin falas drejt klubit të PSG-së.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore