Film

Dokumentari “Rruga e Mesit”: Pak minuta, shumë rrëfim


Ai s’do ishte lodhur kurrë së realizuari dokumentare.

E bashkë me to, të provokonte pareshtur pyetje… jo përgjigje. Sepse nuk kërkon të përkufizojë asgjë. Për të, secili e gjen vet rrugën.

Ngjashëm mendon edhe për dokumentarin e tij “Rruga e Mesit”.

“E bëra punën time. Tani, dokumentari ka rrugën e vet. Nuk më përket më mua”.

Po kujt i përket? “Kujt të dojë ai”.

Ardit Muhaxhiri beson fort se arti pasqyron. “Është pasqyrë”, thotë ai për Albanian Post.

Madje, edhe vetë dokumentarin do ta përmblidhte si “fuqinë e njeriut për të interpretuar botën”.

Te “Rruga e Mesit”, ndjesitë shpalosen furishëm. Në pak minuta ka shumë rrëfim. Kërcimtarja, në qendër të të gjithit, e lë mënjanë kërcimin dhe përqafon njerëzoren.

Në vend të lëvizjeve, arrin të rrëfejë atë që gati-gati është e parrëfyeshme: botën e saj të brendshme. Vetëm në dhjetë minuta.

Rosella Pellicciotti te një nga skenat e dokumentarit

“Është shumë e çuditshme. Duke e parë materialin fillestar, të gjatë, kam hequr vazhdimisht gjërat që më dukeshin të tepërta. Minus skenat që s’duhen. Është pak a shumë gdhendje. Si skulptori që heq pjesët e panevojshme”, tregon ai.

Në fund, atij i mbetet çfarë mjafton. “Dhe mua më mjaftoi kjo”.

Pasi u dha fund xhirimeve, Arditi i la pak kohë vetes për t’i parë materialet me një sy më të freskët. Pastaj nisi montazhin. Kanë qenë afro tetë orë materiale.

Në fillim i dukej “e pamundur”.

Por duke i ndarë materialet, nisi të kuptonte më shumë.

“Thjesht fillova. Nuk kishte pse të mendohej për shumë gjatë. Ngjashëm siç është kur shkruan një skenar. Ke ide, ide, ide. Po nuk nise të shkruash nuk zhvillohet ideja”, veçon ai.

Për Arditin, me rëndësi ishte që ideja të kishte në fokus vetë personazhin protagonist të dokumentarit. Që simbolika të ishte rreth saj.

“Ajo është një vajzë e re që do të bëj gjëra të reja, të ndryshme. Është personazh interesant. Realizon koreografi kontemporane të jashtëzakonshme”, dallon ai.

Është Rosella Pellicciotti.

Arsyeja pse ajo është përzgjedhja e tij është sepse e njeh prej vitesh. Ka xhiruar më parë edhe shfaqje të saj artistike dhe i ka pëlqyer ta vëzhgojë përmes kamerës.

“Doja të merresha me jetën e saj të përditshme. Veprimet më të zakonshme të ditës së saj. Më pëlqente të merresha me shtëpinë pasi është kutia ku ne jemi në një ambient më të sigurt, nuk jemi të ekspozuar ndaj njerëzve, është vend më personal”, tregon ai.

Rosella në sytë e Arditit është personazh tejet i veçantë. “Artiste shumë e veçantë”. Dhe ja ka arritur që fokusi të jetë te ajo. Dy personazhet e tjera, e ëma dhe shoqja, thuajse janë në hije.

Sepse ka dashur që ato t’i shërbejnë për t’u kuptuar më mirë. ndaj beson se prania e tyre ka ndihmuar. “Ka ndihmuar për të zhvilluar karakterin pasi për ta njohur personazhin kryesor më mirë, duhet ta shohësh edhe në marrëdhënie me të tjerë”.

Një karakter që është lënë krejt i lirë ë zhvillohet brenda rrëfimit.

Krejt e lehtë duket se nuk ka qenë. Por as pengesë. Arditi parapëlqen ta quajë “rrezikim” që nuk e ka ndikuar idenë fillestare.

“I kam bërë pyetje, por pyetjet e mia nuk kanë ndikuar shumë. Asaj i kam thënë: ‘zëre se nuk ekzistoj’. Ka raste që i kam qëndruar me kamerë pa folur fare. Thuajse i padukshëm”, kujton ai.

E gjitha sepse 90 për qind i dokumentarit është xhiruar “për një ditë, jo më shumë”. Nga ora 09:30 e mëngjesit deri në 21:00 të mbrëmjes.

Rosella Pellicciotti te një nga skenat e dokumentarit

Ka pasur shumë skena që ai ka dashur t’i përfshijë, por që s’ka mundur. “Nuk mund t’i përfshish dot të gjitha. Duhet të sakrifikosh”.

Paçka këtyre sakrificave, në dokumentar është një nga ato skena që Arditi e përcakton si vendimtare.

Është skena ku Rosella rrëfen se për një moment u ndje në paqe me botën kur dëgjon muzikë klasike… lidhja e saj me të është e ngushtë. “Kjo i ka vënë pikën dokumentarit”.

Vetë Rosella e sheh si “shprehje të një bote intime që është vetëm një pjesë e spektrit të të gjithë përjetimeve të asaj periudhe”.

“Një rrëfim shumë personal i imi. Fakti që ka rezonuar me audiencën më bën të mendoj se ka arritur diku përtej personales dhe i ka bërë njerëzit të identifikohen me ndjesitë që rrëfehen”, tregon ajo për Albanian Post.

Paçka se ka profesion komunikimin nëpërmjet lëvizjeve, fjala për artisten është një mjet që si çdokush tjetër “nuk mund ta shmangë në asnjë moment”.

Se fundja “mendimet vijnë në formë fjalësh”.

“Me distance prej një viti, vërej se shumë ndjesi kanë ndryshuar. Disa aspekte që aty i shpreh me një lloj paqartësie, përgjatë kohës kanë marrë formë të tjera”, shton ajo.

Për të, gjithë çfarë bëri ishte një bashkëbisedim me një shok, me Arditin, i cili e drejtoi dokumentarin.

Posteri i dokumentarit “Rruga e Mesit”

Dhe diçka.

Ka një detaj të pashmangshëm për sa i përket titullit.

Arditi e ka vendosur atë pas montazhit. Pak para montazhit final të dokumentarit.

“Më ka ardhur nga një diskutim me një shkrimtar që e kam mik. E takova sepse desha që të merrej me përkthimin dhe redaktimin në anglisht. Duke diskutuar më tha që i pëlqente Rruga e Mesit”, zbulon ai.

Lidhet edhe me pjesën kur të tre personazhet janë duke parë fatin te filxhani i kafesë. “Diçka tradicionale, detaj interesant. Pavarësisht se ajo si artiste nuk është tradicionale”.

“Pra, emri lindi spontanisht. Dhe rastësisht u kombinua mirë edhe me pjesën”.

Ardit Muhaxhiri në studio teksa merret me montazhin
Klejdi Guza, kompozitor
Genti Isufaj, inxhinier zëri
Ardit Muhaxhiri teksa xhiron një nga skenat

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore